Kampionati italian do të ngrejë sipari ne sezonit të ri sonte në orën 18:00, teksa gjithçka do të marrë udhë nga stadiumi Artemio Franchi i Firenzes, ku Fiorentina vendase do të presë Torinon. Skuadra vjollcë kë përforcuar ndjeshëm veçanërisht repartin e mesfushës dhe synon që të rikthehet në kupat e Europës këtë sezon, të cilin do të kërkojë ta nisë në mënyrën më të mirë të mundshme ndaj Torinos.

Edhe skuadra ka ndryshuar ndjeshëm krahasuar me sezonin e kaluar, pasi në pankinë është ulur Marco Giampaolo, i cili ka ndryshuar skemën dhe do të provojë të sjellë një futboll të bukur e argëtues, por mbi të gjitha rezultativ. Në mbrëmje do të luhet ndeshja e dytë e javës, ku në “Bentegodi” do të vihen përballë Verona vendase dhe Roma. Të dy klubet vetëm pak ditë më parë ishin në tryezën e bisedimeve, ku kompletuan me sukses transferimin e mbrojtësit Marash Kumbulla te verdhekuqtë, por 20-vjeçari shqiptar nuk pritet të jetë në dispozicion të trajnerit Fonseca mbrëmjen e sotme.

Ndërkohë mediat në Itali këmbëngulin se sonte do të jetë ndeshja e fundit e Edin Dzekos me fanellën e Romës, pasi duke nisur nga fillimi i javës, sulmuesi boshnjak pritet t’i bashkohet Juventusit. Vlen të theksohet se ditën e djeshme në Itali u vendos që në të gjithë sportet në ambient të hapur, të lejohet prania e një numri maksimal prej 1000 tifozësh dhe gjithçka do të nisë këtë javë të parë por fillimisht vetëm me stadiumet e rajonit të Emiglia-Romagnas, konkretisht në ndeshjet e Parmës dhe Sassuolos. Ashtu si çdo vit, edhe ky sezon do të jetë ekskluzivitet i Supersport, që do të sjellë për publikun të gjithë ndeshjet e kampionatit italian.