Kryeministri Edi Rama uroi sot kryeinfermieren e Spitalit Infektiv, Ana Luca, e cila feston ditëlindjen e saj duke shërbyer pranë pacientëve me COVID-19.

Postimi i plotë: Në këtë ditë të shtune që përkon edhe me ditëlindjen e saj, Ana Luca është duke u shërbyer pacientëve me COVID-19, si kryeinfermiere në detyrë e Spitalit Infektiv, duke përballur me kurajo dhe guxim të pashoq, armikun e padukshëm e të pabesë. Është kënaqësi dhe nder që si kryetar i qeverisë, t’ia uroj në emër të të gjithëve këtë ditë të shënuar një prej heronjve të mjekësisë, forca njerëzore e të cilëve, bashkë me aftësinë e tyre të spikatur profesionale, i bën shembuj frymëzues e domethënës për të gjithë ne në këto kohë posaçërisht të vështira.