Juventusi, që po kërkon me një fiksim asfiksues një sulmues, bën të ëndërrojnë tifozët, të cilët po shijojnë aktualisht magjitë e Ronaldos dhe Dibalës dhe shpresojnë së shpejti edhe ato të Suarezit. Gjithçka e kuptueshme, duke parë se ndeshjet fitohen me gola dhe me klasin e lojtarëve më të talentuar. Por medalja ka edhe një anë tjetër. Mbetet problemi i ekuilibrit të skuadrës, asaj balance mes reparteve të një reparti prapavije për t’u marrë në mbrojtje pas tmerrit të sezonit të shkuar dhe të një sistemi perfekt që duhet bërë të funksionojë për të arritur objektivat që ka në kokë Andrea Pirlo (“Juventusi dëshiron të fitojë titullin e dhjetë radhazi dhe të shkojë deri në fund në Ligën e Kampioneve”, tha dy ditë më parë). DUHET RIGJETUR ADN-JA – Trajneri i ri, që në konferencë e parë për shtyp e kishte vendosur theksin tek ai që është një prioritet për Juven e re: “Dua më shumë agresivitet në rifitimin e topit”. Dhe kjo, edhe për faktin se me një skuadër të aftë për ta rikuperuar topin lart në fushë, mbrojtja do të vuante më pak, diçka që në fakt ndodhi në sezonin e Mauricio Sarrit: 43 golat e pësuar në kampionat janë rendimenti më i dobët i skuadrës që prej kohëve të Delnerit, i cili në fakt kishte lojtarë krejt të një kalibri tjetër në skuadër. Dhe kështu, Pirlo ka që prej fillimit misionin për të korrigjuar problemet. Gjëja e parë që “Mjeshtri” po punon është rikthimi i ADNsë së “Zonjës”. Të shohësh lojtarët që shpërbëhen sapo pësojnë një gol, siç ndodhi shpesh gjatë sezonit të shkuar, është një skenë që te Juve nuk duan ta shohin më.Dhe në këtë kuptim, rikthimi në regjim të plotë i Kielinit, një lojtar me eksperiencë dhe personalitet, padyshim që mund të japë një dorë. Një tjetër aspekt mbi të cilin Pirlo po punon është fleksibiliteti taktik. Nëse për Sarrin dogma ishte mbrojtje me katër vetë, për Andrean nuk ka një sistem fiks loje, gjithçka është fiksuar te fleksibiliteti maksimal: mund të mbrohet me katër (opsioni i preferuar), rreshtohet me tre dhe do të punohet si për skemën 4-3-3, ashtu edhe për 3-4-1-2 ose 3-4-3. Dhe në fakt, gjatë këtyre pak ditëve në të cilat ai ka punuar me grupin, që më pas u shpërbë për ndeshjet me kombëtaret, Pirlo këmbënguli shumë te kjo. Në veçanti po punon me Danilon, i cili është provuar edhe si mbrojtës i tretë qendre në të djathtë.
FILTRI – Risi priten edhe në mesfushë, një tjetër repart i thërritur në detyrë për të bërë më shumë në fazën e mbajtjes së topit në krahasim me atë që ka bërë në të shkuarën e afërt, për të mbështetur tre sulmuesit që ndihmojnë në mënyrë minimale në fazën e lojës pa top. Pirlo mund të besojë tek një mesfushor qendre që vrapon më shumë dhe ofron fleksibilitet më të madh, me interpretues që mund të përdoren në pozicione të ndryshme. Artur ka luajtur qoftë si regjisor (te Juve e re do të bëjë pikërisht këtë), ashtu edhe në krah të mesfushës. Bentankur është një tjetër që mund t’i bëjë të dyja rolet. Rabio për momentin është titullar, por Pirlo shpreson ta bëjë më vendimtar në mbulime. Dhe në këtë kuptim, një lojtar kyç mund të jetë amerikani Ueston MekKeni, një specialist ndërprerjesh aksionesh dhe topash të fituar, siç ka treguar te Shalke. Pirlo, për t’u mbrojtur nga fundosjet, mund t’i besojë edhe atij. Sepse mund të nisesh nga zero edhe pas 9 titujve kampionë radhazi dhe “Mjeshtri” është thërritur edhe për këtë.