Të mbyllura nga koronavirusi gjashtë muaj më parë, shkollat në Itali po bëjnë përgatitjet e fundit, ndërsa me miliona nxënës do të kthehen në klasat e tyre. por ndërkohë, rastet e reja të koronavirusit në Itali po rriten sërish dhe mësuesit janë mes të prekurve. “E gjejmë veten tani në një shkollë krejt ndryshe krahasuar me atë të para 6 marsit, që unë mbaj mend si ditën e fundit kur në Lacio u mbyllën shkollat. Është një situatë tërësisht e re por duhet të përballemi me të”, shprehet Diana Guerani, drejtore shkolle.

Në çdo shkolle, do të ketë hyrje dhe dalje të veçantë. Shkollat janë pajisur me skanerë, që do të lëshojnë alarm kur një nxënës nuk do të ketë maskë ose do të ketë temperaturë. Në rast të tillë, nxënësi do të dërgohet në një dhomë të vogël, të quajtur klasa e Covid-it, nga një person i ngarkuar me këtë detyrë dhe më pas do të nisin procedurat e paracaktuara. “Në fund të ditës, kur mësuesi del nga klasa, të gjitha dritaret do të hapen për të ajrosur ambientet që janë pajisur edhe me spërkatës dezinfektuesi mbi të gjitha objektet, banka, karrige dhe kompjuterë”.

Për vetë kryeministrin italian, Giusepe Conte, rihapja e shkollave në siguri të plotë është një sfidë e madhe. Ai ka konfirmuar se shkollat do të rihapen më 14 shtator dhe ka falenderuar nxënësit duke u thënë se ata kanë paguar çmimin më të rëndë të kësaj emergjence. Conte ka shpjeguar se shkollat janë pajisur me sasi të konsiderueshme geli dezinfektues dhe maskash mbrojtëse që do të shpërndahen falas për nxënësit dhe personelin.