Projekti i financuar nga Republika e Turqisë në Laç përfshin ndërtimin e 522 apartamenteve, në një truall rreth 72 mijë metër katrorë, me hapësira të gjelbëruara e parkimi për banorët, njësi shërbimi dhe qendrën tregtare, ku familjet që humbën banesën në 26 nëntor, do të jetojnë me cilësi dhe standarde shumë herë më të mira së më parë. Drejtuesi turk i projektit, Servet Birgoren në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tha se brenda 365 ditëve brenda të cilave parashikohet të përfundojë ndërtimi i apartamenteve, do të punësohen deri në 1 mijë punonjës. Birgoren ndau detaje nga projekti i lagjes moderne që do të rindërtohet në Laç, ku ndër të tjera theksoi se një shembull i tillë është testuar edhe në Turqi dhe ka rezultuar i suksesshëm.

“Si fillim janë 522 apartamente që do të ndërtohen, 37 njësi shërbimi, 400 garazhe të mbyllura. Këto garazhet e mbyllura do të ndahen në 3 pjesë. Siç e shihni kemi filluar, jemi në fazën e gërmimeve, pas një metri do të shkojmë tek themelet fillestare. Do të jenë të përfshira ndërtesat, pallatet dhe në anësore do të jenë njësitë e shërbimit. Përafërsisht do të kemi 700-1000 personel që do të punojnë. Shpresojmë që vitin tjetër, në muajin gusht të futen të gjithë nëpër shtëpitë e tyre’’, tha Birgoren.

“Komuniteti që do të banojë në këto apartamente nuk do të ketë më problemin e tërmeteve. Banesat janë projektuar të përballojnë tërmet 9 ballë të shkallës Rihter. Banesat janë projektuar sipas shijeve dhe gustove të popullit shqiptar me 1+1, 2+1 dhe 3+1. Qytetarët do të parkojnë makinën në garazhe nëntokësore dhe me ashensor do të ngjiten në shtëpitë e tyre. Këtu do të bëhet edhe një park. Para një jave me ardhjen e ministrit të Rindërtimit, Ahmetaj filluam gërmimet. Fillimisht po punojmë me 8 ekskavatorë dhe me 30 kamionë. Më pas, kur të fillojmë edhe punën e hedhjes së betonit do të kemi një ritëm më të lartë. Mendoj se nuk do të ketë shumë ndryshim nga Tirana. Në Turqi është testuar dhe ka dalë shumë pozitiv si projekt’’, theksoi më tej ai.

“Unë jam banore e pallatit që është shembur. Kam qenë në pallatin nr.131 dhe kur ndodhi tërmeti me 26 nëntor, kam qenë me mamin dhe vëllain dhe jemi trembur shumë. Tani jetojmë me qira, marrim bonusin dhe presim me padurim që të vazhdojnë shtëpitë. Me sa kam parë projektin, ka për të dalë diçka shumë e bukur”, tha banorja Sonila Miha.

Një tjetër banor, Eduart Lleshi u shpreh se “jam banues i kësaj zone, të pallateve të shembura. Shpresojmë që ta bëjë qeveria turke dhe falënderojmë shumë që po na ndihmon me ndërtimin e pallateve tona. Mendoj se do të bëjnë diçka të bukur sepse e kemi parë edhe projektin, shpresoj ta bëjnë sa më shpejt. Është si një ëndërr e paprekur’’.

Fran Doda, banor i pallatit 131 që u shemb në Laç për shkak të dëmtimeve sqaroi për ATSH-në se “deri tani jemi të kënaqur për bonusin e qirasë, na i kanë dhënë muaj për muaj. Deri tani nuk kemi vërejtje. Tani shohim dritën jeshile të bukur dhe besojmë që do t’i realizojnë këto. Kam qenë 3 kurora në një banesë, shpresojmë që do t’i rregullojmë të gjitha. Jemi shumë të kënaqur. Shpresat i kemi tek zoti lart dhe tek bashkia që deri tani ka qenë korrekte. Projektin e kam parë, besoj nuk do të na zhgënjejnë me ketë punë’’.

Po ashtu, Tane Xhafa u shpreh se “kam shkuar në Tiranë dhe me lekët e shtetit paguajmë shtëpinë. Sa të bëhet shtëpia e re, jam shumë e kënaqur’’.

Leonora Shemuni, një tjetër banore së cilës i është dëmtuar banesa nga tërmeti i 26 nëntorit shpjegoi ndër të tjera se “pata fatin që para se të shembej pallati, vetë kryeministri Rama më premtoi e më tha: mos u mërzit motër se shtëpinë do të ta bëjmë shumë më të mirë seç e ke pasur. Unë kam shumë shpresë tek ky person sepse është njeri që e mban fjalën. E kam parë moketin e lagjes dhe jam shumë e lumtur që në qytetin tim do të bëhet kjo mrekulli. Mesa kam parë, punimet kanë filluar. Do ta marrim këtë shtëpi dhe jo unë por të gjithë ne të dëmtuarit do të kemi një lagje moderne, një lagje kryevepër’’.