Nga Sokol Balla/

Situata në Shqipëri duket si gjithmonë si një tablo me dy pamje dhe të gjithë ne, presim që këto pamje të lidhen diku. Mesa duket lidhja, e me gjasë edhe zgjidhja e krizës do jetë ligji i ri zgjedhor, i cili do bazohet tek ndryshimet e njëanshme kushtetuese të verës, të cilat në thelb duhet të parashikonin lista të hapura. Por dy kleçka këtu, mbajnë mbërthyer situatën dhe e bëjnë të mundshme, jo zgjidhjen, por shpërthimin e saj.

E para, Partia Demokratike, ose më mirë kreu i saj Basha është i bindur se ndërkombëtarët janë garant se koalicionet do të ekzistojnë dhe e dyta se socialistët kanë paraqitur një projektligj që nuk garanton se listat do të jenë të hapura, së paku në përmbajtje. Kjo ka sjellë impas të ri në Këshillin politik, ndërsa socialistët kërcënojnë me votim të njëanshëm deri më 30 shtator, ndërsa Ilir Meta, në mungesë të zërit të Bashës, kërcënon sërish me revolucion.

Por nuk është vetëm konsensusi politik që rrezikon goditje, por edhe integrimi. Kryeministri Edi Rama, hem si kryeministër, hem si kreu i OSBE, e hem si artist i thjeshtë, ka marrë shpesh avionin këto dy javë, por duket se në Gjermani, temperaturat e dashurisë po i ulen shpejt. Bojkoti që i bënë atij dy deputetë gjermanë Kirshbaum dhe Vandepuhl, nuk është një risi, pasi të dy emrat janë më afër PD prej vitesh.

Lajm është fotoja e munguar me Angela Merkel, e cila konsiderohet gjerësisht si sponsorja personale e Ramës, sidomos pas vitit 2014. A po rrezikon Shqipëria sërish, për shkak të zhvillimeve të brendshme, nje hap prapa në integrim, sidomos nëse Maqedonia e Veriut nis konferencat ndërministrore me Brukselin, ndërsa Shqipëria jo?

Normalisht me kushtet e Shqipërisë kjo duhet të ishte një ditë “festë” për opozitën. Një qeveri që ecën e prish konsensus, që ndryshon vetë kushtetutën e që merr rezultate negative në integrimin e munguar europian, do ishte mjaft që pas tetë vjetësh me luhatje në pushtet, socialistët t;i frikësoheshin më shumë se kurrë dorëzimit të tij në prill. Por ka një element të fortë që e mohon këtë pritshmëri. Ky është Ilir Meta.

Presidenti i cili tashmë me ndërgjegje është vënë në krye të frontit për rrëzimin e maxhorancës, shpërndau pak ditë më parë një paralajmërim të çuditshëm: se pas zgjedhjeve do bëhej kryeministër dhe Saliun do ta bënte president. Por ky paralajmërim nuk mund të ishte për socialistët, të cilët, nëse humbasin pushtetin pak u intereson emri i kryeministrit të ri. Bashës dhe demokratëve po.

Ndaj zemërata e Metës më shumë sesa më hënën, duket ka lidhje me partnerët e tij në rrëzimin politik të Ramës, të cilët duken ende të dobët, dhe ende jo një alternativë e besueshme. Aq e pabesueshme sa e bën të besueshme si mundësi, një mandat të tretë, ndonëse të pamerituar socialist?