Nga Ben Andoni/

Edhe pse nuk janë ndezur të gjithë motorët e fushatës apo kuptohet të shpallet zyrtarisht, kampet kanë filluar të mprehin dhëmbët. Opozita me anë të videove, të kuruara shumë profesionalisht, po tregon mosmbajtjen e premtimeve dhe mundohet të fryjë gjithçka, thënë pas tërmetit dhe në kohën e pandemisë. Përdorja nuk lë askënd. Familja e Alesios, që pak javë më parë, ishte në të gjitha kronikat tashti shfaqej në anën “tjetër”. PD u mundua të marrë meritën e zbulimit të jetës ndryshe. E dhimbshme mënyra sesi politika është futur në dhimbje dhe manipulon, por më e dhimbshme dëshira për të gjetur keq. Në kurriz të kujt? Të familjes. Të nënës. Pak familje shqiptare kanë përjetuar tragjedinë e kësaj familje. Zyrtarisht u tregua ana tjetër por edhe asistimi ndaj familjes tejet të rënduar nga ana psikologjike. Opozita vazhdoi mohimin dhe shpërdarjen kudo të videove të saj. Ndoshta kjo e bëri kryeministrin Rama të fliste me një mllef të tepruar. “Në rastin konkret kam përjetuar me keqardhje dhe me një ndjesi neverie, abuzimin me të ëmën e Alesios, e cila është një grua e rënduar psikologjikisht dhe emocionalisht nga një tragjedi qe nuk kalon kurrsesi pa lënë gjurmë. Ndërkohë që mendoj se etika e medias dhe për më tepër e politikës duhet ta ndalojë hedhjen e nxituar të hapave të tillë për të konsumuar në publik njësoj si në një restorant, në një klub ku hahet mish, mishngrënie e njerëzve në nevojë, e njerëzve në sekëlldi, e njerëzve të traumatizuar dhe duhet t’i referohet fakteve. Padiskutim që do të ishte shumë njerëzore, do të ishte e lavdërueshme nga pikëpamja etike që pa e abuzuar, pa e konsumuar, pa e dhunuar, imazhin fizik në tregun mediatik dhe politik, te hulumtoheshin faktet dhe të shihej nëse unë dhe qeveria i kemi braktisur apo u kemi qëndruar pranë jo vetëm Manjolës dhe Alesios por të gjithë familjeve”, sqaroi Rama.

E lodhshme ndërkohë mënyra për të gjetur dhe sfumuar gjithçka të opozitës, që është në pozitën më të rëndë në këto 30 vite. Por, tek e fundit lufta politike nuk njeh kufij. Nga përfaqësues të ndryshëm po apelohet të hapen dosjet e vjetra, kurse Berishës i kujtohen të gjitha ato që nuk iu zbardhën deri më tani: Vrasjet e Tropojës, Azemi, “Gërdeci”, “21 Janari” etj. LSI ka filluar të shpalosë moralin, një nga armët më problematikë; pa folur për zvarritjen e formacioneve të tjera, që më shumë mendojnë për atë ulësen e vetme në parlament, që ia dhuron PS ose PD-ja kryetarit respektiv të partisë. Në të gjitha dhe për asgjë nuk na ndihmon Drejtësia, teksa emisarët politikë kanë filluar të zbresin në bazë, ku ka shumë më pak njerëz sesa 4 vjet më parë dhe shumë më pak shpresë, sepse vuajtjet e njerëzve janë thjesht dekor, kurse fushata ka nevojë të ushqehet me mizerje, sidomos tani, që parlamenti pret Legjislaturën normale.

Mëngjezi i këtij sezoni fushate tregon se hienat do vazhdojnë, në emër të parimeve që ushqen fushatën, do të na sjellin shumë më tepër vuajtje dhe keqardhje për vendin ku jetojmë dhe situatat që kemi kaluar në këtë lloj kinse-demokracie. (Javanews)