Rindërtimi i shkollës së dëmtuar nga tërmeti i nëntorit të shkuar, “16 shtatori” në Shijak, vijon me ritme të shpejta me qëllim që nxënësit të hyjnë në mjediset e reja në datën 26 nëntor. Nxënës, qytetarë dhe prindër shprehen shpresëplotë për ecurinë e punimeve. Sipas tyre, është një lajm i mirë që po punohet me kapacitete të plota si dhe që po u ofrohet nxënësve një ambient modern me një infrastrukturë bashkëkohore, sipas standardeve europiane.

Esli Kacadej, nxënëse e vitit të dytë në këtë shkollë, tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se, jo vetëm ajo, por dhe shokët e klasës janë mjaft entuziastë për rindërtimin e gjimnazit të tyre. “Mezi po presim të hyjmë në ambientet e reja. Jo vetëm unë, por dhe shokë e shoqe të mi. Ne jemi shumë të gëzuar që po na ndërtohet një shkollë kaq multifunksionale me klasa moderne e laborator modern”,- tha Kacadej.

Fabiola Muça u shpreh se pret me padurim të shohë nga afër klasat e reja, laboratorët etj. “Jam nxënëse e gjimnazit këtu. Ne mezi po presim të shohim ambientet e reja, klasat, çdo gjë të re”,- tha Muça.

“Shpresoj që sa më shpejt të bëhet ndërtimi i ri, që dhe fëmijët të futen në shkollën e tyre e të kenë stabilitet. Deri tani punimet po ecin shumë mirë.”,- tha i ati i Fabiolës. Aldines Sokolaj, një tjetër nxënës i kësaj shkolle tha se “klasat sipas projektit do jenë me të gjitha kushtet, moderne. Projekti duket i bukur, të shohim përfundimin”,- tha ai.

“Deri tani duket mirë. Me punimet me gjërat, ditë për ditë janë duke punuar. Kur ta mbarojnë komplet shihet objekti i ndërtimit”,- tha një qytetar. Një nxënëse tjetër e gjimnazit “16 Shtatori”, i vitit të tretë, tha për ATSH se “ambienti duket shumë i bukur dhe po përdoren dhe metoda të reja. Çdo gjë duket sipas rregullave dhe është me standarde të larta”.

Silvin Goxhaj, drejtuesi teknik i punimeve u shpreh për ATSH se objektivi është që shkolla të jetë gati më 26 nëntor. “Siç e shihni jemi duke punuar me të gjitha kapacitete për të arritur targetin tonë brenda datës 26 nëntor. Kemi një projekt sipas standardeve europiane duke përmbushur çdo kërkesë si nga ana hapësinore ashtu edhe nga ana strukturore. Flasim për një hapësirë të brendshme dhe me palestrën që shkojnë 2 500 metra katror. Plus që kemi ambientet e jashtme dhe hapësirën e gjelbëruar që u japin një impakt modern zonës dhe e inkorporojnë këtë objekt me ambientet dhe godinat e jashtme”,- tha Goxhaj.

“Kemi sistem me rama, që quhet tra-kolon dhe kemi përdorimin e mureve antisizmik, pesë të tillë me gjatësi 2 metra e 40 cm, mëse të mjaftueshme për të garantuar stabilitetin e kësaj strukture në rast të lëkundjeve sizmike. Klasa do ketë 12 dhe flasim për ambiente mbi 60 metër katror për çdo klasë. Jemi duke punuar me kapacitet të plotë me qëllim respektimin e afateve të listuara”,- tha Goxhaj.

Drejtori Gentian Shahini u shpreh se “projekti i ri është ambicioz dhe përmban kushtet teknike më të mira dhe krijon kushte shumë të mira për nxënësit që të kenë një mësim sa më të mirë”.