Kryeministri Edi Rama ishte sot në Fishtë të Lezhës, ku pa nga afër se si funksionon bashkimi i disa fermerëve të fokusuar në bujqësinë organike.

“Aty ku bashkimi bën fuqinë dhe toka bën ekonomi. Dhe aty ku kanalet dhe portalet nuk kalojnë natyrisht, sepse ka punë jo llumë, ka prodhim jo llafe, ka jetë normale jo çmendinë virtuale”, – tha Rama.

Drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca informoi se në zonën e Mrizit “është kryer implementimi i një prej masave të mbështetjes së Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2020, që është masa e certifikimit dhe të fermave organike”.

Ajo tha se “të gjithë janë fermerë që prodhojnë rrush dhe janë në vitin e parë, të dytë ose të tretë të certifikimit të fermave të tyre organike”. “Masa e mbështetjes është 1.5 milionë lekë të vjetra për dynym. Këtu bëhet fjalë për 70 ha rrush që shndërrohet në fermë organike”, tha Krifca, ndërsa inkurajoi fermerët e tjerë që t’i bashkohen iniciativave të AZHBR-së.

Kryeministri theksoi se “vite më parë ka pasur bindjen se duke u zhvilluar ‘Mrizi i Zanave’, siç Altini kishte vizionin, do të fillonte gjithë zona të punonte në zinxhir”.

“Zinxhiri është gjithë problemi, sepse mund të prodhosh, por pasi e prodhon ku e çon? Mund ta nxjerrësh te rruga me trastë, por kur bashkohesh dhe secili më vete bën prodhimin e vet, nëse harmonizon gjithë procesin se çfarë fare, çfarë metode dhe shitje duhet, nëse bëhesh bashkë, secili merr atë që i takon, por ka shumë më tepër fuqi negociuese. Shoh disa që dalin e hedhin në lumë prodhimin. Por normalisht patjetër që do t’i hedhin në lumë, pasi nëse nuk bashkohesh dhe të kesh fuqi negociuese, të kesh masë, se po nuk pate masë i blejnë për 2 lekë ose t’i lënë aty”, – tha Rama.

Rama tha se “ky është çelësi”. “Është i thjeshtë, kush ka tokën dhe ka ujin afër dhe ka këtë klimë dhe ankohet që s’ka punë, nuk do punën, është shumë e thjeshtë. Toka këtu në Shqipëri është thesar, mjafton të kesh durimin dhe hap pas hapi të ngrihesh dhe sigurisht pastaj të bashkohesh. Unë i kuptoj moshat shumë të vjetra, i kuptoj edhe personat që kanë aftësi të kufizuara patjetër, por jo të tjerët”, – tha Rama.

Ai theksoi se “rëndësi ka që sot në Shqipëri sheh plot raste të tilla dhe do shtohen”. “Ajo që ne duam të bëjmë është që stimulojmë edhe agropërpunimin. Në këtë rast është Altini i ‘Mrizit’ që bën agropërpunim për veten e tij, por të shtojmë edhe përpunimin. Sot ishim në Tamarë, është bërë një fabrikë fantastike për lëngje dhe fruta të egra. Faktikisht do të punësohet gjithë dynjaja që do shkojnë do i mbledhin dhe do i çojnë në fabrikë. Kjo është gjëja që duam të shtojmë. Po shtohen shumë pikat e agropërpunimit, pikat e grumbullimit tani”, – tha Rama.