Ka nisur vendosja e tabelave dy gjuhëshe në destinacionet turistike dhe tabelave rrugore përkatëse në zonën e Gjirokastrës. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, bënë të ditur se vendosja e tabelave në dy gjuhët sjell një standard të ri në nivel kombëtar për prezantimin e destinacioneve kulturore dhe turistike.

“Në kuadër të projektit “HAMLET”, ku Ministria e Kulturës është drejtuese e partneritetit Shqipëri-Itali-Mali i Zi, në unazën kulturore të Gjirokastrës, po vendosen tabelat informuese dygjuhëshe turistike dhe tabelat rrugore përkatëse, të cilat do të sjellin një standard të ri në nivel kombëtar, në prezantimin e destinacioneve kulturore në Shqipëri”,- shprehet Margariti.

“Parku Arkeologjik i Antigonesë, Kisha e Shën Mërisë në Labovë të Kryqit dhe Kalaja e Libohovës janë tre destinacionet e para përfituese, duke iu përgjigjur një kërkese të kahershme të operatorëve turistikë, por edhe ekspertëve të trashëgimisë kulturore mbi nevojën e prezantimit më të plotë të këtyre destinacioneve, por edhe të zonave pranë tyre, si pjesë e arealit të qytetit të Gjirokastrës, pasuri botërore e njerëzimit, nën mbrojtjen e UNESCO-s”-, bënë të ditur Margariti.

“Kjo iniciativë do të shërbejë si një model i mirë edhe për zona të tjera të vendit, të cilat do të përfitojnë sinjalistikë të dedikuar turistike. Një falenderim i veçantë për Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, në Gjirokastër për punën e palodhur edhe në ditë të vështira”-, tha Margariti. E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend. Kalaja e gurtë dhe parku i Antigonesë vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.