Vetëm dy muaj pas finales së vitit 2020 të zhvilluar në Lisbonë, edicioni i 66-të i garës më prestigjoze evropiane në nivel klubesh Liga e Kampionëve rikthehet muajin e ardhshëm. Në fakt, shorti për fazën e grupeve të kësaj gare do të hidhet të enjten më datë 1 tetor 2020 në Nyon të Zvicrës. Faza e grupeve të Uefa Champions League do të zhvillohet ndërmjet fundit të muajit tetor dhe fillimit të muajit dhjetor.

Xhiroja e parë zhvillohet më 20/21 tetor, kurse ajo e fundit më 8/9 dhjetor.

Janë gjithsej 32 ekipe që marrin pjesë në fazën e grupeve, 26 prej tyre tashmë janë të kualifikuara nga pozicionet e tyre në ligat e tyre, kurse gjashtë të tjera do të bashkohen nga raundi i play-off-it. 32 ekipet janë të ndara në 8 grupe dhe zhvillojnë nga dy ndeshje mes tyre në shtëpi dhe udhëtim, derisa dy ekipet e para kualifikohen për në fazën e eliminimit direkt. Në fazën e grupeve nuk mund të ballafaqohen ekipet nga i njëjti shtet.