Një i nxehtë anormal është regjistruar në Europë me temperatura rekord. Në lindje, jug dhe qendër të Spanjës temperatura është mbi 40 gradë, ndërsa në Itali janë 12 qytete që kanë shënuar rekord.

Mes mbylljes së vendeve dhe përdorimit të maskave, këtë verë si asnjëherë tjetër Europa po mbytet nga një valë rekord të nxehti: Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Spanja kanë regjistruar temperatura të larta që kanë thyer rekordet e mëparshme.

Në Lion temperatura mbërrin deri në 41 gradë dhe 40 gradë në Paris. Në Mbretërinë e Bashkuar ajri nuk është më i freskët, pasi këto janë ditët më të nxehta të 2020-ës. Të premten u regjistrua dita e tretë më e nxehtë me 37.8 gradë në Hithrou, kundrejt rekordit absolut të një viti më parë me 38.7 gradë në Kembrixh. Ndryshimi këtë vit është se ato që deri një vit më parë konsideroheshin si përjashtime tashmë janë kthyer në normë.

Në Ostend, në Belgjikë, hyrja në plazhe kontrollohet nëpërmjet temperaturës trupore, por duke parë mbipopullimin ndoshta kjo masë nuk mjafton për të garantuar sigurinë e pushuesve. Plazhet kanë qenë të mbipopulluara dhe në Holandë.

Në Itali janë 12 qytete që kanë regjistruar temperatura rekord mbi 40 gradë. Deri të martën termometri duhet të shënojë rënie fillimisht në veri dhe më pas në pjesën tjetër të vendit me 12 gradë.

Në Spanjë temperaturat parashikohen mbi 40 gradë në lindje, në jug dhe në qendër të vendit. San Sebastian regjistroi të enjten rekordin absolut që kur kanë nisur regjistrimet në vitin 1955: 42 gradë. Dy ditë më parë ishte Palma di Majorka që shënoi rekordin e saj me 40.6 gradë.