Nga Mero Baze/

Lulzim Basha ka shanse të bëhet partizan i listave të mbyllura deri në 30 për qind dhe Edi Rama të bëhet partizan i listave plotësisht të hapura, ndërkohë që në shtator do të nisë puna që ndryshimet kushtetuese të reflektohen në Kodin Zgjedhor.

Aleatët e vegjël që kanë qenë besnikë me PD duket se po e shtyjnë në këtë rrugë, për t’i shpëtuar zhdukjes së tyre nga LSI.

Agron Duka një aleat i vjetër i Lulzim Bashës po i kërkon Edi Ramës të nisë puna me ndryshimet në Kodin zgjedhor, sa më shpejt të jetë e mundur. Dash Shehi gjithashtu. Arsyeja nuk është se ata nuk kanë kohë të përgatiten për zgjedhje, por nuk kanë kohë të vendosin se çdo të bëjnë me LSI dhe heshtjen me të cilën Meta kaloi këto ndryshime.

Skema më e forte e opozitës është të bëje një koalicion të madh paralektoral, ku të futen në një listë kandidatë nga gjithë partitë.

Kjo skemë do lidership të fortë që ta negocioje.

Lulzim Basha vështirë se ja del me këtë mision. Mosbesimi i madh që kanë aleatët rreth tij dhe raportet specifike të LSI me PD në këtë listë, mund t’i mbajnë larg aleatët e shtatë viteve të fundit të PD, që presin të jenë në listë.

Në mënyrë paradoksale, ata janë të asgjësuar nga listat e hapura, pasi shpresa e tyre ka qenë futja në zgjedhje me lista të mbyllura dhe renditja në listën fituese nga Basha. Tani Basha mund t’i fusë në listë, por nëse listat do të jenë të hapura, ata nuk janë më deputetë.

Për këtë arsye Agron Duka kërkon një vendim të shpejtë të Ramës për këtë çështje, pasi gënjeshtra e re e Lulzim Bashës për ta, është 30 për qindëshi i listës të jetë i mbyllur. Vetëm kështu ata mund të jenë të qetë nëse Basha i “ngrin” emrat e tyre në pjesën fituese. Në të kundërt ata mbeten jashtë Parlamentit.

Pra paradoksi i këtyre ndryshimeve kushtetuese, është që Bashës po i duhet të pranojë kërkesat e Ramës për të përfituar për vete dhe për të mbajtur në lojë aleatët, ndërsa Ramës paradoksalisht do t’i duhet të plotësojë kërkesat e rreme të Bashës për lista të hapura, duke kënaqur në fakt partitë e vogla të opozitës parlamentare që janë armiq të Bashës.

Tani Basha ose do pranojë të ndajë gjysmën e listave për aleatët duke demotivuar PD-në, ose duhet t’i mbajë ata afër duke u bërë ai partizan i 30 për qindshit të mbyllur të listave. Kështu është kur nis beteja për të gënjyer të tjerët dhe në fund gënjen veten.