Kryeminstri Edi Rama përkujtoi sot në rubrikën “Homazh”, Petro Nini Luarasin, të cilin e cilësoi “një ndër të ndriturit e këtij vendi, në një kohë kur errësira që e kërcënonte asokohe Shqipërinë, ia mori jetën përmes të shiturve për pesë para më 17 gusht 1911”.

“Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri do të ngrihemi!”, pat kumtuar mësuesi i palodhur, një ndër shpëtimtarët e shqipes, që 99 herë u rrëzuan në përpjekjen e tyre dhe 99 herë u ringritën, mu si muret e shkollave në gjuhën amtare, të cilat u përhapën mes flakëve e tymit të urrejtjes e të pabesisë që ushqehej asokohe, ndaj shkronjave e ndaj shpërndarësve të tyre”, shprehet Rama.

Kryeministri Rama thekson se “nga shkolla e Qestoratit ku Koto Hoxhi luftonte fillikat për gjuhën tonë kundër të gjithëve, Petro Nini i Luarasit të Kolonjës, u nis si një misionar i shqipes në tërë ato vise ku shqipja nuk lëçitej e ku ungjilli veç në emër njihej. Ky patriot ortodoks i farës shqipe, e mbolli me shkolla në gjuhën tonë, për të mitur e për më pak të mitur tërë djerrinën e Toskërisë së fundshekullit XIX, njësoj si Shën Andoni dhe Shën Benedikti, që farëzuan manastiret dhe mbrojtën kulturën gjatë barbarisë së mesjetës së hershme. E deshën Petro Ninin edhe agallarët e anës kombëtare, e deshi edhe opinga siç i thoshin atëmot gjindjes së zakonshme. E përnderuan mësuesin e ndritur, qoftë uratët e thjeshtë të katundeve, mes të cilëve shenjtori theror i Negovanit, e qoftë baballarët e teqeve”.

“Plot tre herë e çkishëruan “heretikun” kolonjar që shpirtin e mendjen i kishte njësh me shqipen e mallkuar; si një Sokrat i përvuajtur, ai hartoi apologji të vërteta për shkronjat tona dhe e shanë, e shtynë dhe e pështynë plot derra tutkunë e të kënaqun të kohës, siç janë në fakt derrat e të gjitha kohëve. Drejtor i Mësonjëtores së Korçës dhe themelues i disa shoqërive shqiptare në Amerikë, në vitet 1904-1908, delegat në Kongresin e Manastirit, Luarasi i madh u sprovua në trup e në shpirt, nga kanosjet e burgosjet e një qeverie dudume dhe nga përdhosjet e një hierarkie klerikale halldupe. Asgjë nuk iu kursye”, – tha Rama.

Më tek Kryeministri Rama shprehet se “99 herë u ringrit pas rrëzimeve, por më 17 gusht 1911, Petro Nini Luarasi u ngjit përfundimisht drejt Krijuesit që Rilindasit e quanin me emrin e bukur të « Zotit të Jetësë ». E kështu, një vit përpara se të ngrihej përgjithnjë flamuri i mëvetësisë, me misionin e tij plotësisht të përmbushur, ai u bë pjesë e gjakut dhe flakës gjithmonë të gjallë, në sfondin e shqipes dykrenare”.

“Duke e kujtuar sot atë dhe natyrshëm, bashkë me të, tërë kalvarin e vuajtjeve e të sakrificave për gjuhën shqipe, në respekt edhe të besimit të tij e të rilindasve në Zot, është pamundur të mos i drejtohesh Zotit me lutjen që ta mbrojë shqipen e mrekullueshme, nga kanosjet e përdhosjet e kohës së keqe të harbutshkrimit”, – tha Rama.