Edi Reja ka qenë gjithë kohën duke punuar për kombëtaren edhe pse në kushte të vështira. Tekniku tregon se ka ndjekur e ka vëzhguar futbollistë nëpërmjet videove, ndërsa në intervistën e gjatë për “Albania Futboll” ka theksuar se programi i Federatës është të kualifikohet thuajse gjithnjë në Europën. Ndërkohë, italiani tregon gjatë intervistës edhe se çfarë përmban “Projekti Reja” te Shqipëria.

– Mister, një vit shumë i vështirë, që nuk besojmë se e keni ndeshur më parë në 40 vite karrierë?

Një situatë e vështirë që nuk ka ndodhur kurrë, jo vetëm në këto vite të fundit, por nga një jetë. Jemi duke jetuar një situatë krejtësisht anormale dhe për fat të keq ende nuk dihet si do të zgjidhet ky problem. Por ndërkohë duhet të bashkëjetojmë me këtë situatë. Përtej pandemisë nuk është se ne nuk punojmë, jemi në kontakt me të gjithë lojtarët. Duhet ta pranoj se ndryshe është të mbash kontakte dhe ndryshe është të punosh në fushën e lojës. Për fatin tonë të keq jemi penalizuar, sepse kur u ndal gjithçka ne duhet të luanim dy ndeshje miqësore në mars dhe të tjera në qershor. Këto ndeshje do të na shërbenin për të vlerësuar ndonjë lojtar të ri. Nuk e kishim këtë mundësi dhe kështu që nisemi pak me vonesë, edhe sepse tani në mes të gushtit janë duke u luajtur ndeshjet e UEFA Champions League dhe disa lojtarë tanët, si kapiteni Hysaj dhe Gjimshiti ishin të impenjuar me skuadrat e tyre. Do të shkojnë me pushime dhe nuk e dimë ende se në çfarë gjendje do të mbërrijnë në ndeshjet tona zyrtare të shtatorit. Të shikojmë. Duhet të gjejmë zgjidhjen, duke u fokusuar tek ato lojtarë që janë më në formë dhe kanë filluar stërvitjet më parë. Të gjithë lojtarët ne i monitorojmë, flasim përditë me ta dhe nga informacionet që do të marrim do të bëjmë edhe vlerësimet tona.

– Mund të na përshkruani rutinën tuaj të punës gjatë kësaj periudhe pandemie?

Nuk jemi ndalur në asnjë moment, edhe pse kushtet nuk kanë qenë të duhurat. Puna ime është ajo për të ndjekur filmimet e të gjithë lojtarëve shqiptarë që luajnë për skuadra profesioniste, së bashku me Alaricon, i cili është një mjeshtër për t’i zbuluar këto elementë. Kemi parë edhe lojtarë që kanë nënën ose babanë shqiptar dhe jemi duke monitoruar me kujdes çdo element, duke marrë informacion edhe nga klubet e stafet e tyre teknike. Kemi filluar me lojtarë të datëlindjeve 2004 e 2005, pra të rinjtë 15-16-vjeçarë, mosha të vogla që mund të jenë e ardhmja e futbollit shqiptar. Në të njëjtën kohë po ndjekim alternativa në Itali dhe në Bashkimin Europian disa lojtarë, duke analizuar karakteristikat e tyre, rritjen që kanë. Nuk jemi në Shqipëri, por jemi gjatë të gjithë kohës në punë konkrete, gjithmonë të kujdesshëm me atë që ndodh, për të parë lojtarët që mund të jenë të vlefshëm për ne. Në të njëjtën kohë jemi duke punuar edhe për të ardhmen, sepse programi i Federatës Shqiptare të Futbollit, edhe duke folur me Presidentin Duka, është të arrihet pothuajse gjithmonë kualifikimi në Europian, përtej Botërorit që jemi të qartë që kemi pak shanse, duke parë që ka shumë skuadra me më shumë pushtet futbollistik se ne. Jemi të qartë që nuk ka asgjë të pamundur, duhet të bëjmë gjërat mirë me bindje të madhe. Unë jam shumë i kënaqur për punën që kemi bërë, por për fatin e keq kjo pandemi na ka kushtëzuar disi në këtë periudhë.

– Jemi në prag të eliminatoreve të Ligës së Kombeve. Si ju duket gjendja e lojtarëve pas rikthimit të garës?

Mendimi im është se do të kemi vështirësi për t’i pasur lojtarët në gjendjen e tyre më të mirë. Kam folur me disa lojtarë, që janë duke u stërvitur vetëm dhe kanë marrë përgatitës atletikë që të mbërrijë në formën më të mirë. Ne do të takohemi me lojtarët vetëm një javë përpara ndeshjes. Në ato ditë që do të jemi bashkë do të flasim me lojtarët, do të zhvillojmë teste për të parë se në çfarë gjendje janë nga ana fizike. Akoma nuk e di sesi do të mbërrijnë në grumbullim. Siç e thashë edhe më lart, flas me ta, i shikoj të gjithë entuziastë. Mezi presim të rifillojmë dhe të ritakohemi, sepse jemi ndarë shumë kohë më parë. Ka kaluar pothuajse një vit që nuk shihemi dhe lojtarët janë të paduruar për të dhënë kontributin e tyre. Unë uroj që të vijnë në gjendje të mirë fizike dhe psikologjike.

– Kundërshtarët tanë janë Bjellorusia, Kazakistani dhe Lituania. Si i shikon trajneri Reja kundërshtarët tanë?

Ne nisemi në këtë garë duke marrë në konsideratë faktin që janë të gjithë kompetitivë, por nëse Shqipëria luan si duhet të luajë dhe si ka luajtur në periudhën e fundit, është e qartë që vlerat tona mund të mbizotërojnë. Duhet të jemi të qartë se asnjë ndeshje nuk është e lehtë. Duhet të zbresim në fushën e lojës me mentalitetin e duhur, me shumë përqendrim. Janë kundërshtarë të kalueshëm për ne, të një niveli të përballueshëm. Ne nuk duhet të gabojmë as në mënyrën sesi duhet të shkojmë në këto ndeshje dhe as ndeshjen. Në Bjellorusi, një nisje e rëndësishme me një lojë të mirë do të ishte vendimtare për rrugëtimin në këto eliminatore.

-Mister, në Nations League shkojmë për të fituar me lojtarët më të mirë apo do provojmë edhe lojtarë të rinj, që mund të na shërbejnë për të ardhmen?

Mund të kombinohen të dyja. Nëse ka lojtarë të rinj, që jemi duke i ndjekur prej disa kohësh për t’i përfshirë dhe për t’i dhënë mundësinë të luajnë, atëherë do të luajnë nëse tregojnë që kanë cilësi të mira gjatë javës. Do të shikojmë në varësi të situatave, po na u dha mundësia është e qartë që do t’i përfshijmë. Në fillim do të zbresin në fushën e lojës lojtarët më të mirë që kemi, jo vetëm më të mirët, por ata që do të jenë në gjendjen më të mirë në prag të ndeshjeve. Në të njëjtën kohë duhet të pranoj se do të ketë hapësirë për ndonjë të ri në skuadrën tonë.

– Janë në planet tuaja lojtarë të spikatur nga Kombëtarja U-19 dhe ajo U-21 të cilët janë gati të bëjnë hapin e madh?

Sigurisht. Aktualisht që flasim, ka dy-tre lojtarë që jemi duke i mbajtur në vëzhgim prej kohësh dhe janë në listat tona. Në këtë moment nuk dua të përmend emra, sepse nuk do të ishte etike përpara të gjithë të tjerëve. Por siç e theksova, këto dy-tre lojtarë të U-19 dhe U-21 janë tashmë në listën tonë dhe mund të luajnë në ndeshjet e ardhshme nëse do të ketë mundësi.

– Keni dakordësuar një projekt tuajin me Presidentin Duka. Mund të na shpjegoni se çfarë parashikon ‘Projekti Reja’?

“Projekti Reja” parashikon që në fillim të tij, krijimin e një grupi pune për të gjithë elementët dhe të jemi më shumë prezentë në të gjithë territorin shqiptar. Grupi i punës do të punojë shumë si për përgatitjen fizike ashtu edhe për atë tekniko-taktike, në mënyrë që të krijojmë në Federatë, një staf në lartësinë e duhur, gjithmonë me trajnerë me eksperiencë ndërkombëtare. Ne kemi sot Alarico Rossin që drejton një strukturë inovative në lidhje me analizën e ndeshjeve, skautizmin si dhe përdorimin e teknologjisë në përmirësimin e stërvitshmërisë dhe të gjithë punës së përditshme. Ne duam të punojmë për të pasur mjekë sportivë të zotë në Shqipëri, të cilët duhet ta pranojmë se mungojnë në vend për të gjithë ato nevoja që ekzistojnë. Për këtë kemi përgatitur një projekt të detajuar me Dr. Gianluca Stessina. Duhet të përgatisim përgatitës atletikë me parametra bashkëkohorë, siç janë sot në futbollin e rëndësishëm europian dhe atë botëror, duke kërkuar t’i rrisim sa më shumë njohuritë e tyre. Për eksperiencën, atë që kam jetuar dhe njohuritë që kam nga bota e futbollit në gjithë këto vite, do doja të jepja një kontribut për të rritur gjithmonë e më shumë kapacitetin e futbollit shqiptar.

Edhe presidenti Duka pret këtë nga ky projekt. Është shumë i kujdesshëm e i fokusuar te një projekt për të ardhmen në mënyrë që t’i japë mundësi të gjithë lëvizjes futbollistike shqiptare për t’u rritur. Unë nuk di të them në këtë moment nëse do të jemi në lartësinë e duhur apo jo, por së paku eksperienca e të gjithë bashkëpunëtorëve të mi është e tillë që mund të ndihmojë shumë. E kemi të qartë që duhet të vijmë në Shqipëri më shpesh dhe të urojmë që të përfundojë sa më shpejt kjo situatë shumë e veçantë dhe shumë e vështirë. Kjo na ka penalizuar shumë sepse projekti mund të kishte filluar me kohë por e kemi shtyrë me disa muaj. Do të shikojmë ku jemi kur të vijmë në Shqipëri dhe do të planifikojmë mirë hapat për këtë projekt të rëndësishëm që kemi bërë.