Anke Petersen, menaxhere e Projektit “Zhvillimi i Qendrueshëm Rural” që financohet nga Qeveria Gjermane dhe zbatohet në vendin tonë nga GIZ në bashkëpunim me institucionet shqiptare, në një intervistë ekskluzive për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, shprehet se “Zhvillimi i zonave rurale dhe veçanërisht i sektorit të bujqësisë janë ndër prioritetet më të rëndësishme për ekonominë shqiptare”.

“Mbështetja jonë është projektuar në zbutjen e pasojave të krizës, duke stimuluar biznesin të përshtasë operacionet e tij me situatën e re, duke mbështetur financiarisht për të mbuluar nevojat e tyre, ato biznese që nuk kanë përfituar nga skemat e tjera donatore të mbështetjes financiare ose nuk kanë kapacitetet e duhura për të aplikuar”- thotë Petersen.

Sipas saj, “projekti do të promovojë modernizimin e 4 zinxhirëve komerciale të vlerave në bujqësi siç janë bimët aromatike dhe mjekësore, frutat dhe frutat e thata, perimet dhe bagëtitë e imta. Në këtë mënyrë, ne synojmë të rrisim konkurrencën mes fermerëve dhe përpunuesve për eksport, zëvendësimin e importit dhe tregjet lokale”.

Ndërsa turizmi rural është një tjetër sektor me rëndësi, por me potencial ende të pashfrytëzuar siç duhet, shprehet Petersen.“Në vitet e fundit janë krijuar tradita me festa dhe festivale të ndryshme në zonat rurale që i kanë shërbyer promovimit të turizmit dhe agrobiznesit lokal e rajonal dhe që shpresojmë të rikthehen pas tejkalimit të kësaj situate”- tha ajo.

Petersen deklaroi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se, “Shqipëria po shkon drejt pranimit në BE megjithë shumë sfida që ekzistojnë ende. SRD mbështet Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural duke përafruar kornizën ligjore dhe institucionale shqiptare me BE-në. Kjo përfshin mbështetjen e strategjisë së re për bujqësinë, zhvillimin rural dhe peshkimin 2021-2027 në përputhje me përparësitë, kërkesat dhe politikën buxhetore të BE-së për Politikën e Përbashkët Bujqësore. Ai përfshin mbështetjen e programit të ri IPARD III në përputhje me kriteret dhe kërkesat e komisionit të BE për të mundësuar thithjen e mbështetjes financiare të BE-së”.

“E gjitha kjo do të kontribuojë në rritjen e konkurrencës së sektorit të bujqësisë dhe ekonomisë rurale në përgjithësi”- u shpreh Petersen, menaxhere e Projektit “Zhvillimi i Qendrueshëm Rural” që financohet nga Qeveria Gjermane dhe zbatohet në vendin tonë nga GIZ.

Intervista e plotë: ATSH: Cila është konkretisht ndihma e projektit ‘Zhvillimi i Qëndrueshëm Rural’ për ta bërë këtë sektor sa më konkurrues?

Shqipëria, në rrugën drejt anëtarësimit në BE, përballet me një sërë sfidash sa i përket ndryshimeve strukturore në bujqësi dhe turizëm – por në të njëjtën kohë ka shumë mundësi për zhvillim. Qasja jonë synon promovimin e bujqësisë dhe turizmit rural, me qëllim diversifikimin e të ardhurave dhe perspektivën e punësimit të banorëve në zonat rurale të Shqipërisë. Synojmë ta arrijmë këtë nëpërmjet përmirësimit të prodhimit në ferma, aktiviteteve jashtë fermave dhe promovimit të produkteve bujqësore të përzgjedhura, me fokus në zinxhirin e vlerave të frutave, perimeve, bagëtive të imëta (produkte bulmeti) dhe bimëve aromatike e mjekësore dhe zinxhirit të vlerave të turizmit, pasi të dy sektorët bujqësia dhe turizmi përbëjnë pjesën më të madhe të punësimit në Shqipëri. Ne besojmë se diversifikimi më i madh i ekonomisë në zonat rurale si dhe rritja e konkurrueshmërisë në bujqësi do të kontribuojë në gjenerimin e më shumë të ardhurave. Kjo përmirëson perspektivën e popullsisë në zonat rurale në tërësi, veçanërisht tek të rinjtë, përfshirë të rikthyerit nga emigrimi në zonat rurale dhe në Shqipëri në përgjithësi. Çelësi është përmirësimi i kushteve për të mundësuar gjenerimin e të ardhurave të qëndrueshme në zonat rurale.

ATSH: Në kushtet aktuale të pandemisë së Covid 19, ëfarë mbështetje parashikoni për sektorin bujqësor dhe turizmin?

Veçanërisht turizmi është ndër sektorët më të goditur. Mbështetja e projektit për zbutjen e pasojave të krizës së shkaktuar nga Covid-19 është një iniciativë e përbashkët me programin dypalësh “Zhvillimi i Qëndrueshëm Ekonomik dhe Rajonal, Nxitja e Punësimit, Arsimit dhe Formimit Profesional në Shqipëri (ProSEED)“ dhe “Zhvillimi i Qëndrueshëm Rural” (SRD), të dyja të financuara nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ).

Qëllimi gjithëpërfshirës është mbështetja përmes këshillimit për Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme në Shqipëri, që janë goditur nga pasojat e pandemisë, para së gjithash, për të ruajtur të njëjtin nivel punësimi ose për ta rritur atë. Në kuadër të kësaj iniciative, projektet ProSEED dhe SRD japin kontribut të rëndësishëm për menaxhimin e hershëm dhe sa më efektiv të krizës për një numër të madh biznesesh, kryesisht në dy sektorët më të prekur, bujqësi dhe turizëm, por kjo masë lehtësuese është e hapur edhe për sektorë të tjerë. Vec kësaj, këto sipërmarrje do të mbështeten për aplikimin e zgjidhjeve të reja dixhitale dhe inovative, jo vetëm për të zbutur efektet e krizës aktuale por edhe për të ndërtuar një terren më solid për operacionet e tyre në të ardhmen, duke modeluar situatën e re përtej efekteve imediate të COVID-19.

Mbështetja është projektuar në mënyrë që të zbusë pasojat e krizës, duke stimuluar biznesin të përshtasë operacionet e tij me situatën e re, duke mbështetur financiarisht për të mbuluar nevojat e tyre ato biznese që nuk kanë përfituar nga skemat e tjera donatore të mbështetjes financiare ose nuk kanë kapacitetet e duhura për të aplikuar. Të dyja këto objektiva do të adresohen përmes këshillimit dhe sigurimit të granteve.

Paralelisht me këtë nisim edhe dy fushata promovuese për dy sektorët, bujqësi dhe turizëm, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit. Fushata #unerrineShqiperi ka filluar me datë 6 qershor zyrtarisht në rrjetet sociale, me qëllim promovimin e Shqipërisë si destinacion pushimesh për këtë verë 2020, kurse fushata ‘Shqipëria punon tokën’ do të fillojë në gusht, me synim promovimin e produkteve lokale dhe fermerëve shqiptarë.

ATSH: Çfarë mbështetjeje parashikon projekti për fermerët e vegjël?

Siç u përmend më lart, projekti do të promovojë modernizimin e 4 zinxhirëve komerciale të vlerave në bujqësi siç janë bimët aromatike dhe mjekësore, frutat dhe frutat e thata, perimet dhe bagëtitë e imta. Në këtë mënyrë, ne synojmë të rrisim konkurrencën mes fermerëve dhe përpunuesve për eksport, zëvendësimin e importit dhe tregjet lokale. Duke u bazuar në shembujt më të mirë të projekteve parardhëse, projekti mbështet fermerët e fermave të vogla dhe sipërmarrjeve të vogla në disa rajone të përzgjedhura si pilote, ku do të mbështesim masa lidhur me kombinimin e bujqësisë dhe turizmit rural, duke ruajtur agrobiodiversitetin, në mënyrë që të gjenerojmë të ardhura shtesë për familjet bujqësore. Mjetet se si ne synojmë ta arrijmë këtë, mbështetja jonë për fermerët e vegjël, bizneset e vogla dhe të mesme dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm në sektorin e bujqësisë, varion nga përmirësimi i aksesit në treg përmes strategjive të marketingut, pjesëmarrja në panaire ndërkombëtare etj, deri te zgjidhjet teknologjike dhe dixhitale, si menaxhimi i dëmtuesve, informacioni i tregut dhe teknologjitë e tjera para korrjes dhe pas korrjes.

Perspektiva e brezit të ri për të ndërtuar një të ardhme më të mirë në fshat është një sfidë e madhe për shoqërinë shqiptare.

ATSH: A ka projekti juaj një mbështetje të veçantë për fermerët e rinj?

Duke qënë se shumë të rinj migrojnë përkohësisht ose përgjithmonë nga zonat rurale me strukturë të dobët ekonomike drejt qyteteve ose shteteve të tjera, këto zona rurale në Shqipëri përballen me sfidën e mplakjes së popullsisë ose me shpopullimin. Kjo situatë përbën një sfidë të vërtet sidomos në sektorin e bujqësisë, por jo vetëm. Për këtë arsye, projekti synon të sigurojë më shumë mundësi për gjenerim të ardhurash për komunitetet lokale dhe emigrantët e kthyer në zonat rurale.

Në këtë kuadër, ne po punojmë së bashku me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për të gjetur zgjidhje që të rinjtë të mund të kenë akses në tokat bujqësore. Si rezultat i kësaj, më shumë të rinj do të mund të angazhohen si sipërmarrës në sektorin bujqësor.

Për më tepër, është i nevojshëm krijimi i një grupi ekspertësh, të gatshëm për të promovuar inovacionin në bujqësi. Në këtë kuadër, projekti do të bashkëpunojë me universitetet bujqësore për të prezantuar një program doktorature që synon të thellojë njohuritë e studentëve ekselentë në tema që janë relevante për sektorin. Projekti do të sigurojë mbështetje të mëtejshme, duke informuar të rinjtë mbi industrinë e bujqësisë, duke patur në konsideratë kualifikimet dhe nevojat e tyre, duke siguruar punësim konkret dhe oferta trajnimi, në një iniciative që ne e quajmë ‘nga çizmet tek kostumi’.

Përmes televizionit publik me fokus bujqësinë, projekti do të promovojë histori suksesi të sipërmarrësve të rinj në bujqësi, duke frymëzuar kështu të rinj të tjerë për historinë e tyre të suksesit. Përtej prodhimeve tradicionale të kulturave bujqësore, ne njohim sipërmarrës të rinj që punojnë në ferma agro-turistike apo prodhojnë produkte jo aq të njohura për tregun e Shqipërisë, por që kanë shfrytëzuar avantazhet klimatike që ofron vendi për të prodhuar bimë Aloe-Vera. Një rrjet fermerësh të rinj do të adresojnë vecanërisht nevojat e brezit të ri të fermerëve dhe do të ndihmojnë në modernizimin e mëtejshëm të sektorit bujqësor.

Shqipëria ka specifika të veçanta në zona të ndryshme territoriale, po kështu edhe problematika dhe potenciale te ndryshme.

ATSH: A ka projekti juaj nje fokus rajonal, apo është i shtrirë në të gjithë territorin e vendit. Nëse ka shtrirje rajonale, në cilat zona vepron dhe kush janë përfituesit e drejtpërdrejtë?

Programi “Zhvillimi i Qëndrueshëm Rural” ka fokus rajonal, gjithashtu është i shtrirë edhe në të gjithë territorin e Shqipërisë. Sa i përket ndërhyrjes në bujqësi, ne punojmë në të gjithë vendin, në varësi të faktit se ku prodhohet dhe ku përpunohen produktet. Ndërsa sa i përket zhvillimit rural, lidhur me turizmin, ne punojmë specifikisht në tre rajone, që janë rajoni i Shkodrës, rajoni i Dibrës dhe rajoni Jugor Bregdetar (rajoni i Vlorës). Grupi i synuar është popullsia rurale e Shqipërisë me fokus sipërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në bujqësi dhe turizëm rural. Në veçanti, projekti ka si synim të mbështesë gratë dhe të rinjtë deri në moshën 40 vjeçare.

Turizmi Rural është një tjetër sektor me rëndësi, por me potencial ende të pashfrytëzuar siç duhet.

ATSH: Çfarë mbështetjeje parashikon projekti për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit rural?

Në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, projekti mbështet krijimin e modeleve të Organizatës së Menaxhimit të Destinacionit në Dibër, Alpet Shqiptare dhe rajonin e Vlorës për të përcaktuar strukturën, menaxhimin dhe marketingun e destinacioneve turistike shqiptare. Presim me padurim të nisim me Organizatën e Menaxhimit të Destinacionit të parë pilot në rajonin e Dibrës dhe për të punuar me strukturat turistike ekzistuese atje. Menaxhimi i destinacionit i referohet një qasje gjithëpërfshirëse, ku shumë aspekte të një destinacioni menaxhohen përmes një procesi të koordinuar. Mund të përfshijë menaxhimin e marketingut, akomodimin lokal, ture, ngjarje, aktivitete, atraksione dhe transport, dhe shpesh është përgjegjësi e një organizate të dedikuar për menaxhimin e destinacionit.

Për më tepër, projekti mbështet zhvillimin dhe diversifikimin e produkteve turistike. Kjo do ta promovojë Shipërinë drejt një tregu më të gjerë jashtë vendit dhe do të sigurojë më shumë punësim dhe mundësi të ardhurash në këtë sektor. Ne jemi të fokusuar në produktet turistike ekzistuese dhe produkte të reja. Disa prej tyre janë: shtigjet për ecje/hiking, shtigjet për çiklizëm, rrugët e reja të ngjitjes në të treja rajonet, agroturizëm, vlerësimi dhe mundësitë për një turizëm dimëror të qëndrueshëm në Alpet Veriore dhe në rajonin e Dibrës, shtigje vere dhe kulinarie, promovimin e kampingut ekologjik etj.

Ne po mbështesim gjithashtu aktivitetet e marketingut, në linjë me Agjencinë Kombëtare të Turizmit për sa i përket promovimit të tre rajoneve dhe produkteve turistike ekzistuese dhe të reja në panaire ndërkombëtare të turizmit.

Në vitet e fundit janë krijuar tradita me festa dhe festivale të ndryshme në zonat rurale që i kanë shërbyer promovimit të turizmit dhe agrobiznesit lokal e rajonal dhe që shpresojmë të rikthehen pas tejkalimit të kësaj situate

ATSH: A ka një kalendar konkret që mbështetet nga projekti juaj?

Po, është e vërtet projekti ka mbështetur dhe do të mbështesë në vazhdimësi aktivitetet që promovojnë fshatrat, produktet dhe zgjatjen e sezonit turistik. Janë iniciativa nga institucionet shtetërore dhe ndodh që shumë prej këtyre festivaleve organizohen në zonat që ne synojmë të mbështesim. Disa prej tyre ju mund t’i keni dëgjuar, siç është festa e Ullirit, Festa e Mollës, Festa e Mandarinës, festa e Gështenjës dhe sigurisht iniciativa e GIZ për të promovuar bregdetin e jugut ‘South Outdoor Festival’, organizimi i të cilit është pezulluar për shkak të situatës së pandemisë. Për më tepër, po punohet për organizimin e një tjetër festivali në veri të Shqipërisë, të cilin do ta shpallim së shpejti, dhe shpresojmë që do të kemi shansin t’i zbatojmë, në varësi të situatës nga COVID-19. Këto aktivitete lokale dhe kombëtare tregojnë më së miri se çfarë mund të ofrojë Shqipëria dhe ne jemi krenarë të jemi pjesë e saj.

ATSH: Çfarë teme tjetër që nuk është përmendur më sipër, përbën një prioritet në projektin tuaj?

Duke qënë se shumë persona i kanë braktisur zonat rurale përgjatë këtyre viteve ose kanë emigruar drejt shteteve të tjera për të gjetur kushte më të mira jetese, synimi ynë është që nëpërmjet aktiviteteve tona të krijojmë perspektiva këtu në Shqipëri dhe veçanërisht në zonat rurale të vendit. Kemi parë shumë shembuj suksesi në bujqësi, turizëm dhe agroturizëm, të cilat tregojnë se shumë gjëra janë të mundura në Shqipëri dhe që “ti mund t’ia dalësh këtu”.

Shqipëria po shkon drejt pranimit në BE megjithë shumë sfida që ekzistojnë ende. SRD mbështet Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural duke përafruar kornizën ligjore dhe institucionale shqiptare me BE-në. Kjo përfshin mbështetjen e strategjisë së re për bujqësinë, zhvillimin rural dhe peshkimin 2021-2027 në përputhje me përparësitë, kërkesat dhe politikën buxhetore të BE-së për Politikën e Përbashkët Bujqësore. Ai përfshin mbështetjen e programit të ri IPARD III në përputhje me kriteret dhe kërkesat e komisionit të BE për të mundësuar thithjen e mbështetjes financiare të BE-së. E gjitha kjo do të kontribuojë në rritjen e konkurrencës së sektorit të bujqësisë dhe ekonomisë rurale në përgjithësi. Për më tepër, SRD është duke forcuar kapacitetet e Agjencisë për Zhvillim Rural dhe Bujqësi (AZHBR), Autoritetit Menaxhues të Shërbimeve të Zgjerimit dhe Qendrat e Transferimit të Teknologjive Bujqësorë (QTTB-të) të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në administrimin e thithjes së fondeve IPARD dhe në promovimin e zgjidhjeve inovative, teknologjive në bujqësi dhe zonat rurale në përgjithësi.