Agjencia për punësim në Maqedoninë e Veriut ka regjistruar 11.734 persona të papunë që nga fillimi i pandemisë me koronavirusin nga Marsi deri në fund të Korrikut, por ata nuk presin që tendenca e tillë e pushimeve nga puna të vazhdojë në Vjeshtë. Shumicës së personave të pushuar nga puna, ose rreth 48 %, iu kishin përfunduar kontratat me afat të caktuar, pastaj pothuaj 24 % e kanë ndërpre punën me marrëveshje, mbi 10 % kanë dhënë dorëheqje dhe mbi 7 % janë pushuar nga punëdhënësi i tyre. Ndërsa 5 % u pushuan nga puna për arsye të ndryshme afariste, 1 % për shkak të falimentimit, 0.7 % për shkak të ndërprerjes së veprimtarisë dhe gati 3 % kanë mbetur pa punë për arsye të tjera. E pyetur nëse priten pushime të reja nga puna nëse, masa të reja restriktive, aplikohen në përputhje me njoftimet e ministrit Venko Filipçe i cili nuk e përjashtoi këtë mundësi varësisht nga situata me epideminë, drejtoresha e Agjencisë për punësim Blijana Jovanovska në një intervistë për Radio Evropa e Lirë thotë se më e keqja ka kaluar.

“Oferta dhe kërkesa në tregun e punës dhe në krizën e covidit pësoi lëvizje të madhe. Kishim ditë kur kërkesa për punë, pra vendet e lira të reklamuara arriti deri në tetë mijë. Dikur ishin 400 mijë. Pra, mesatarja ishte 6000 vende të lira. Besoj se do të ketë lëvizje. Por, për mendimin tim, e gjithë situata do të stabilizohet dhe ne e kemi kapërcyer periudhën më të keqe. Pres që të ketë një stabilitet dhe lëvizje në ngritje, pra një linjë pozitive në pjesën e tregut të punës dhe në pjesën e punësimit dhe uljes së papunësisë”, thotë Jovanovska. Shumica e atyre që janë larguar nga puna janë nga industria e përpunimit ose pothuajse 40 %, e pastaj pothuaj 20 % e tregtisë me pakicë, si dhe rreth 9 % e aktiviteteve të akomodimit dhe shërbime me ushqim. Mbi gjysma kanë arsim të mesëm jo të plotë ose të përfunduar, 25 % janë pa arsim ose arsim fillor dhe gati 18 % e atyre që humbasin punën e tyre kanë arsim të lartë. Pothuajse gjysma e tyre janë midis moshës 30 dhe 49 vjeç, pas tyre 27 % janë mbi moshën 50 vjeç, ndërsa më të rinjtë në moshën deri 29 vjeç përbëjnë pjesën e mbetur 25 %. Në tregun e punës më së shumti kërkohen punëtorë të përgjithshëm, shitës dhe kamerierë, pastaj punonjës për higjienë, shoferë të kamionëve, autobusëve dhe taksive, si dhe punëtorë në ndërtimtari, punëtorët në fushën e teknologjive të informacionit dhe inxhinierët mekanikë dhe të ndërtimtarisë.

Ndërkaq, në një komunikatë për mediat, nga LSDM njoftuan se qeveria e re në mandatin e plotë 4-vjeçar do të punojë me përkushtim në realizimin e programeve të hartuara, para së gjithash në rritjen dhe zhvillimin ekonomik. “Në rend të parë në agjendën e Qeverisë së re është zhvillimi i ri i ekonomisë që do të sigurojë fuqizim të standardit të të gjithë qytetarëve. Në katër vitet e ardhshme do të vazhdojë rritja e pagave, investimet në vende të reja të punës, mbështetja e vazhdueshme e sektorit privat vendor dhe thithja e investimeve të huaja”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.Qeveria ka siguruar 555 milionë Euro për t’u përballur me krizën e shkaktuar nga kovid-19, ndërsa një pjesë e fondeve ishin për të ruajtur likuiditetin e kompanive. Më shumë se 22.000 kompani me 122.000 të punësuar morën ndihmën e qeverisë për të paguar pagën minimale për muajt Prill, Maj dhe Qershor për të parandaluar pushimet nga puna dhe për të ruajtur vendet e punës.