60 fermerë në Luz të Vogël në Kavajë kultivojnë dhe thajnë llojin e domates Ikram dhe San Marzano, në një sipërfaqe prej 14 hektarë sera, e me kontrata të rregullta furnizojnë sipërmarrjen që i nxjerr në tregjet e Italisë.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot një video me pamje nga puna e këtyre fermerëve ndërsa theksoi se “kjo panoramë spektakolare si qilim me motive tradicionale, thurur e shtruar mbi tokën tonë nga duart e fermerëve tanë, flet vetë për të gjithë ata që kujtojnë se bujqësia sot është siç ishte deri dje apo siç duket nga kanalet e portalet, ku nuk bën lajm puna e mirë”.

“Cilësia e lartë e domates së prodhuar në Shqipëri, ka bërë që Italia të rrisë vit pas viti interesin për tregun shqiptar, ndërsa kërkesa për domaten e tharë “Made in Albania”, po bëhet më e lartë se kapaciteti i prodhimit”, – shprehet Rama.

Kryeministri bëri të ditur se “për këtë arsye kjo sipërmarrje kërkon që të zgjerohet edhe më tej, me një pikë grumbullimi dhe dhoma frigoriferike, që me mbështetjen financiare nga Programi IPARD, përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, do të krijojnë kushte të reja për më shumë fitim, punësim, eksport”.

Drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca, tha se “jemi në një subjekt me të cilin kemi lidhur kontratë quhet “Albanian Piemonte” janë grumbullues, seleksionues dhe eksportues të perimeve kryesisht domateve, Kemi lidhur një kontratë me ta për IPARD II thirrja e dytë për ngritjen e një kapanoni dhe ngritjen e një qendre grumbullimi dhe frigoriferike për përpunimin e mëtejshëm të domateve”.

Administratorja Eva Zylyftari thekson se “ne kemi lidhur kontratë me një fermer në bazë të kërkesës që kemi patur nga italianët . Kemi gjetur tregun të parin , ata kanë pasur një kërkesë diku tek 40 tonë domate të thatë dhe për këtë ne na duhej 400 tonë domate e freskët . Një ndër fermerët që ne marrim produktin është Lutfi Meta”.

Ajo tregon se “kanë lidhur shumë kontrata me shumë fermerë të cilëve u kemi shitur fidanët fillimisht që I kemi marrë nga Italia. Më pas presim që prodhimin e tyre ta blejmë dhe ta eksportojmë. Kemi edhe vetë serën tonë, 1.5 ha” .

Erion Braçaj i “Albanian Piemonte” tha se “italianët janë të interesuar për prodhimin tonë, pikërisht për këtë domate , sepse këtu është vendi, toka, klima që e bën këtë domate shumë të kërkuar.Unë e quaj këtë floriri i kuq.Kemi kërkesa pa fund, sezonin e parë kemi patur 43 fermerë, me një hapësirë 10-12 ha dhe përsëritëm të njëjtën gjë tani”. Ai shprehet se “javën e parë të gushtit kemi mbjellë domaten e dytë në të njëjtën sipërfaqe”.