Nga Frrok Çupi/

Miku budalla nuk mbahet për mik. Shteti ka brenda vetes disa ‘dashuri budallaqe’ që ia bëjnë të zezën në ditën më të zezë. Veç punë budallenjsh, asgjë tjetër nuk ka ndodhur në Kakavijë dje dhe sot, ku radha e shqiptarëve për të kaluar në Greqi ka mbërritur në 10 kilometra. Një fëmijë u v ra, për fat të keq; mortje që na bën të harrojmë gjithë tmerrin tjetër të jetës…

Po ku janë ata që e bënë? Në Mirditë, krahina jonë ‘cinike’ në veri të vendit, prej shekujsh thonë se ‘miku budalla ta v ret mizën në lule të ballit’.

Jam i sigurt se sot nuk ka shtet që do të masakrojë qytetarët e vet, as që t’i shikojë rrugëve duke vuajtur. Aq sa jam i sigurt se nuk ka shtet që nuk mban afër disa tipa që e gërryejnë dhe e hanë nga brenda…, derisa në Kakavijë të plasë kriza humanitare- siç duan ta quajnë të tjerët që presin pushtetin.

‘Kakavija’ nuk ka punë me pikën kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë. Tragjedia e Kakavijës ka nisur në selinë e ish- ambasadës së Republikës Popullore Socialiste të Kinës, ku tani ndodhet Ministria e Jashtme e Shqipërisë. Nisi ngadalë, pak nga pak, muaj pas muaj e vit pas viti…, si një lum nën shira të pafund që do të shpërthente diku, dhe kjo ndodhi në ‘Kakavijë’.

Fillimisht u sajua si aferë e ëmbël shërbese politike e njerëzve të Partisë. Në ambasadën shqiptare të Athinës u emëruan njerëz ‘për t’iu larë borxhin’ politik, dhe ata e bënë të keqen kapul. Në muajin korrik ministri i Jashtëm shkarkoi gjithë personelin e ambasadës së Shqipërisë në Greqi, përfshi edhe ambasadoren. Kjo ka ndodhur shumë rrallë në mbarë botën. ‘Shkrirja’ e ambasadës nënkupton një akt që vjen pas degradimin total të një trupe diplomatike, dhe ka si efekt ndotje kombëtare në sy të botës. Çfarë kishte ndodhur, a kishte të drejtë ministri të shkrinte ambasadën? Çështja qëndron pikërisht këtu: Se ministri ka të drejtën e plotë të kryejë një dëm tjetër për të larë dëmet e shtetit. Para një viti, në ambasadën shqiptare të Greqisë ishte dhënë alarmi se ‘kanë humbur 100 pasaporta shqiptare’. Veç ‘humbjes’ në ambasadën e Athinës ishin shitur qindra pasaporta- një lloj mafie e vogël ‘kap atë që ke në dorë’. Konsullata shqiptare e Janinës humbi pako të tëra me pasaporta shqiptare që po i transportonte me një makinë ‘të rastit’. Bota nuk mund ta kuptonte, sepse bota ka nënëshkruar konventa e ka lëshuar praktika strikte si transportohen dokumentet diplomatike. Skandali vuri përballë shtetin ‘budalla’ që angazhon ‘miq budallenj’ në punët e veta delikate… Ja tani, mijëra njerëz po vuajnë në Kakavijë; e gjitha veç për një pasaportë.

Dikush nga miqtë budallenj të shtetit e ka nisur veç me një pasaportë, deri në katastrofë.

As ‘Kapshtica’ nuk ka punë me pikën kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Kapshtica ka një ‘komedi’ tjetër, edhe kjo lojë budallenjsh. Selaniku që mban rreth 500 mijë emigrantë shqiptarë, ka edhe një konsullatë shqiptare. Ndoshta nuk e dini ku ndodhet konsullata? Brenda selisë së saj të vendosur në një qendër tregtare, punojnë tre konsuj. Por tre konsujt janë të rrethuar nga dhjetëra sekserë. Shteti në Ministri mban më shumë anën e sekserëve se anën e konsullatës. Është një avokate që vërtitet rreth konsullatës, quhet Elona Hysi (sa për fakt) e cila u vë notën konsujve, dhe notën e dërgon në ministri në Tiranë. Zëvendës- ministri Tare bëhet ‘xhind’ nga fjalët e avokates dhe iu sulet konsujve. Ky është tipik nga ata që ‘v ret mizën në ballë’, sepse do që të shtypë ata poshtë dhe ta ketë mirë me shefin lart. Atëherë e merr dreqi punën. Avokatja zë derën e konsullatës dhe pret njerëz: ‘ju ndihmoj unë me dokumetet’, se e ka në dorë konsullatën, pastaj vjen shoferi, pastaj vjen kunati, pastaj ka plasur edhe grushti në konsullatë… Është qesharake çfarë ndodh në konsullatën e Selanikut. Qesharake, aq sa kthehet në tragjike kur vjen deri në Kapshticë.

Krizat më të mëdha në kufijtë shtetërorë kanë formë e budallallëkut.

Edhe në vitin 1994 në kufirin Shqipëri- Greqi plasi një krizë, më e madhja e gjithë këtyre dekadave. Disa njerëz të armatosur nga Greqia kishin sulmuar postën kufitare të Peshkëpisë. Konflikti i quajtur ‘’i Peshkëpisë’ mori peshën e rrezikut të një lufte Ballkanike- sipas dokumenteve të CIA. Sot nuk ka studiues që të mund të gjejë ‘arsyet’ e shpërthimit të krizës që mbajti deri në vitin 1997, kur Greqia hapi kufijtë për dhjetëra e dhjetëra të plagosur në ‘luftën e Vlorës’. Arsyeja e vetme është ‘budallallëku’ brenda radhëve të shtetit. Shteti kishte hyrë në konflikt me një organizatë të grekëve të Epirit, që quhej OMONIA… Kaq ishte, sot nuk ka nam as nishan

Miku budalla në radhët e shtetit, ngaqë të do, ‘ta v ret mizën në ballë’.