Nga Berat Buzhala/

Të marrësh pjesë në zgjedhje në Maqedoni, me premtimin që shqiptarët do ta marrin për herë të parë pozitën më të rëndësishme në vend, atë të kryeministrit, ishte një aventurë e padëgjuar më parë. Jo pse nuk e meritojnë, ose pse kjo kërkesë është absurde, por sepse edhe Maqedonia është vend ballkanik, ku minoritarët kurrë nuk mund të marrin pozita më të larta sesa përqindja e tyre elektorale. Ndoshta vetëm serbët në Kosovë e bëjnë një përjashtim, madje jo pse shqiptarët janë treguar vullnetarisht gjenerozë, por sepse ishte një kusht për ta fituar pavarësinë. Duhet të ngjitemi në Slloveni e sipër për të gjetur ndonjë shembull ilustrues adekuat, ku pjesëtarët e një komuniteti shumicë e tolerojnë, ose e votojnë, dikë që është ndryshe prej tyre, që ka tjetër fe, tjetër gjuhë, tjetër ngjyrë, ose tjetër përcaktim seksual.

Prandaj, kur lideri i BDI-së doli në zgjedhje me një premtim sensacional ishte dukur më tepër si karrem për t’i fituar edhe një palë zgjedhje. Madje, ndoshta, edhe ishte një diçka e tillë. Bashkimi i disa forcave politike shqiptare rreth Ziadin Selës, mbështetja që këtij i kishte ardhur nga Albin Kurti, e kishin krijuar një momentum për ndryshim politik në Maqedoni. Dukej sikur zajazasit po i vinte fundi, pas shumë e shumë fitoresh të njëpasnjëshme. Por jo. Ali Ahmeti u tregua më i fortë sesa të gjitha rrethanat që flisnin kundër tij. Arriti t’i mposhtë shumë politikanë shqiptarë në Maqedoni që ishin bërë kundër tij, arriti ta mposhtë Albin Kurtin, arriti t’i mposhtë edhe shumë afera dhe skandale në të cilat ishin të përfshirë njerëzit e tij, që janë në pushtet për më shumë se një dekadë. Ahmeti personalisht, jo bashkëpartiakët e tij, ka diçka speciale, të cilën shqiptarët e asaj ane ia vlerësojnë.

Ai nuk është ndonjë orator që të lë pa mend, as partia e tij nuk është një parti që ka qeverisur me duar të pastra, as të drejtat e shqiptarëve nuk është që janë avancuar si në Zvicër, por megjithatë në tavolinën suedeze që shtrohet ditën e zgjedhjeve, votuesit shkojnë te Daja. Në bindjen time kjo nuk ndodh pse Ali Ahmeti i ka blerë votat, e as pse elektorati është i pakualifikuar, e as pse atje nuk ka ambient demokratik. Kushdo që përpiqet ta kamuflojë humbjen politike mbi këto arsyetime, është thjesht një humbës i keq.

Qe për shembull Kosova. Shokët e Ali Ahmetit në këtë anë të kufirit, nëse e përdorim figurën e Albin Kurtit, e lëshuan bajrakun. PDK-ja kishte buxhet të madh, i kishte oligarkët në anën e vet, kishte shtrirje të fuqishme në terren, kishte punësuar pothuajse çdo militant të vetin, por prapë nuk kishte arritur ta korruptonte më shumë se 21 për qind të shqiptarëve. Ziadin Sela duhet ta pyesë veten për rezultatin.

Te kthehemi tash te premtimi elektoral për kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoni, të bërë nga Ali Ahmeti dhe BDI-ja. Si pikë e parë të gjithë kundërshtarët politikë të Ali Ahmetit për javë të tëra u kishin thënë votuesve se ky ishte një mashtrim i radhës, sa për t’i fituar zgjedhjet. Pra, një parullë e tillë nuk kishte kaluar pa u kontestuar, por megjithatë mbi 100 mijë shqiptarë të asaj ane më shumë i kishin besuar asaj sesa atyre që po e kundërshtonin. Kishte edhe shumë të tjerë që nuk i besuan. Ky rivalitet dhe antagonizëm rezultuan të ishin të shëndosha për demokracinë. Vota shqiptare u rrit. Në Kuvendin e Maqedonisë do të ulen mbi 30 deputetë që flasin shqip. Në vetvete ky është një avancim i pozitën së tyre. Shumë më shumë veta do të dalin në foltore duke folur në gjuhën shqipe, do të trajtojnë më shumë probleme të shqiptarëve dhe do të kërkojnë më shumë të drejta të shqiptarëve. Ndoshta nuk është shumë. Por nuk është as pak. Ka mundësi që në ballë të tyre do të ulet gjithashtu një shqiptar tjetër. Para një dekade një gjë e tillë do të mund të dukej utopike. Madje është mjaft ironike se si edhe një parti maqedonase, duke e parë rritjen e partive shqiptare në vota, është fjala për LSDM-në, ka vendosur, nën presion, që këtë parti ta bëjë multietnike.

Rast i rrallë në Ballkan. Ka mundësi që Zaev një gjë të tillë nuk e ka bërë nisur prej parimeve fisnike dhe liberale, por kjo ka pak rëndësi. Ai, ndoshta, duke dashur t’i sabotojë partitë shqiptare, vetëm i ka provokuar ato, duke i detyruar që të ndryshojnë, të bëhen më dinamike, të dalin prej letargjisë. Dhe kishte ndodhur kështu. Si epilog, shqiptarët janë futur në dyert e Kuvendit përmes katër subjekteve politike, BDI-së, Aleancës, PDSH-së dhe LSDM-së. Një ditë duket që edhe VMRO-ja do ta kuptojë që pa shqiptarët nuk mund t’i fitojë zgjedhjet. Pra, kjo nuk është pak. Ali Ahmeti duket që kishte të drejtë. Nëse kaq shumë po flitet shqip, nëse kaq shumë parti janë rritur falë votës shqiptare, atëherë ka ardhur koha që shqiptarët të mos e konsiderojnë temë tabu pozitën e kryeministrit. Tek e fundit kryeministri nuk është mbret. Është thjesht dhe vetëm një pozitë e përkohshme ekzekutive, të cilën nëse ka mundur ta kryejë Zaev, viktimë e shumëfishtë e humoristëve nga e mbarë bota, përse nuk mund ta kryejë edhe një shqiptar?

Ama, nëse këtë kërkesë e ka pasur gjatë zgjedhjeve Ali Ahmeti, kjo kërkesë pas zgjedhjeve mund të bëhet realitet nëse rreshtohen pas saj të gjitha forcat shqiptare, që të mos themi të gjithë deputetët shqiptarë në Kuvendin e Maqedonisë. Nuk ka kuptim ta sulmosh sot Ali Ahmetin për premtimin e tij, nëse çdo pesë minuta shkon të Zaev dhe i premton aleancë me shqiptarët, me një çmim shumë herë më të lirë.

Pse, çfarë keni pritur? Që Ali Ahmeti do t’i fitojë 61 deputetë në zgjedhje? Të gjithë e kemi ditur që ai premtim i tij do të mund të realizohej vetëm nëse shqiptarët bëhen bashkë pas zgjedhjeve dhe e kushtëzojnë partinë fituese nga kampi maqedonas. Do të ishte një histori krejt tjetër sikur BDI-ja dhe Ali Ahmeti, ditën e nesërme pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, do të kishin trokitur në derën e LSDM-së për të nënshkruar koalicionin, duke e harruar zotimin elektoral. Mirëpo është sabotazh i pastër i Ziadin Selës, nëse ai i përgjigjet Zaevit në çdo thirrje telefonike, kurse e bojkoton çdo përpjekje të Ahmetit për unitet të spektrit politik të shqiptarëve.

Në ekonomi të tregut kjo i bie dumping, kur tjetri e ul çmimin e mallit nën vlerën e tij. Sipas kësaj logjike shqiptarët kurrë nuk do të mundë të marrin pozitën më të lartë ekzekutive në vend. Gjithmonë do të gjendet një forcë e dytë që do të shitet më lirë sesa forca e parë. Shqiptarët në Maqedoni, pas zgjedhjeve do të duhej të ndalnin fushatën zgjedhore. Atje votuesit e kanë identifikuar fituesin, madje me një rezultat bindës. Për çdo premtim të pambajtur fituesit ndëshkohen në zgjedhjet tjera, e jo duke konkurruar duke e ulur çmimin. Fatkeqësisht këtu nuk po flasim për çmim të domateve, e as të trangujve, po flasim për çmim shumë më të lartë, çmimin e avancimit të të drejtave të shqiptarëve. Ka mundësi që kjo është magjia e fitoreve të pareshtura të Ali Ahmetit.