Kompania turke ka nisur sot punën në Laç për ndërtimin e 524 apartamenteve, në një truall rreth 72 mijë metër katrorë për familjet që humbën banesën në 26 nëntor nga tërmeti tra gjik. Për të inspektuar nisjen e punimeve ishte ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj, ndërsa përfaqësuesi i firmës turke tha se pas një viti banorëve do u dorëzohen çelësat e apartamenteve. ‘Duhet ta përfundojmë këtë punë brenda një viti. Gushtin tjetër njerëzit do të fillojnë të banojnë këtu. Ju jap fjalën time’ tha ai.

“Për hajër” ishte reagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili tha se kjo do të jetë qendra e Laçit të së ardhmes. “Ja ku filloi edhe ndërtimi në terren i lagjes së parë për familjet që humbën strehën në tragjedinë e 26 nëntorit! Them ndërtimi në terren, sepse shumëkush në këtë faqe nuk do që ta kuptojë, se ndërtimi ka nisur prej kohësh me projektimin, i cili merr kohën e vet nga planifikimi, dizajni arkitektonik, projekt-zbatimi, studimi gjeologjik – plus në këtë rast procesi i shpronësimeve dhe miratimi i marrëveshjes me kompaninë e donatorit, ndërkohë për ndërtimet me fondet e buxhetit të shtetit, do kohën e vet edhe procedura e garës deri tek kontrata me sipërmarrjen fituese. Disa e harrojnë ose duan ta harrojnë, se në rrugën e Rindërtimit hasëm për dreq edhe Covidin, që na hëngri jo pak kohë të çmuar dhe na i shtyu me detyrim kalendarët e realizimit të Programit të Rindërtimit.

Sidoqoftë, sot në Laç nisën gërmimet dhe tanimë puna nuk do të ndalojë deri në dorëzimin e apartamenteve e të njësive tregtare nga miqtë turq, për zonën 1, ndërkohë që për zonën 2, e cila do të financohet nga buxheti i shtetit, po finalizohet procesi përpara hapjes së kantierit. Së shpejti hapen kantieret edhe në Durrës, me lagjen e re në Spitallë dhe pallatet e reja në pikat e ndryshme të qytetit, ku u shembën të vjetrit. Në kantieret e Durrësit, që financohen nga Emiratet e Bashkuara, do të punojë një kompani prestigjoze nga Dubai, me të cilën po bashkëpunojmë ngushtësisht prej muajsh për projektet. Kavaja e Fushë – Kruja kanë nisur në terren me infrastrukturën ku do të ngrihen pallatet e reja, e së shpejti nisin të gjitha. Edhe pak durim dhe çdokush që pret apartamentin e ri, do të mund ta ndjekë me sy pallatin e vet të ri teksa hedh shtat” përfundoi Rama.