Bayern Munich ka dëshirë të kthehet mbi çatinë e Europës, të dielën në mbrëmje mund të jetë rasti i duhur edhe pse do të ketë përballë një kundërshtar të uritur si Paris Saint-Germain-i i Tuchel. Ylli i gjermanëve, Joshua Kimmich, ka folur në konferencë për shtyp në prag të finales së madhe.

Për finalen: “Duam të japim gjithçka dhe ta shfrytëzojmë këtë mundësi të madhe për të ngritur kupën. Trajneri nuk na e ka zbuluar akoma formacionin, por kushdo që të luajë do të japë gjithçka për Bayern-in. Fatkeqësisht, nuk do të ketë tifozë, por do ta nderojmë ndeshjen”, ka thënë Kimmich.

Për PSG-në: “Kanë ndryshuar shumë në sezonet e fundit, do të përballemi me këtë skuadër 3 vite pas herës së fundit. Mendoj se kanë dalë në finale skuadrat më të mira. Do të ketë ekuilibër në fushë”.