Nga Alfred Peza/

Ka një përkim të çuditshëm mes komunikimit të Lulzim Bashës me një banor të zonave të dëmtuara nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit të vitit të kaluar dhe monologut të Enver Hoxhës gjatë një vizite në pranverën e 1978, në vendlindje.

10 gusht 2020. Në Kameras të Manzës, Bashkia Durrës:

Banori: “Je me vonesë për shumë gjëra, je me shumë vonesë, duhet të jesh më afër me popullin se nuk je”. Lulzim Basha: “E pranoj megjithatë herën e fundit kam qenë në mars. Por pas pandemisë u bë gjëra më e vështirë, nuk mund të vinim”.

Pranverë 1978, miting në qytetin e Gjirokastrës:

Enver Hoxha: “Kam dashur shumë të vij më shpesh. Po, hë- do thoni juve çu bëre, pse serdhe më parë?! Më qante zemra për të ardhur, por punët e shumta… nuk më lënë… Por zemrën e kam patur tek ju!”

E përbashkëta e të dyjave është se në dy kohë të ndryshme, në dy sisteme shoqërore të ndryshme, nga dy liderë politik të kundërt, qasja përballë shqiptarëve vazhdon të jetë e njëjtë. Pika që i bashkon të dy politikanët, njërin në diktaturë e tjetrin në demokraci, është se e marin mbështetjen popullore si të mirëqenë. Sipas këtij mentaliteti mjafton që ata të jenë në krye, që ata të quhen udhëheqësa, liderë, kryetar partish politike dhe për popullin kaq mjafton!

Në regjimin komunist, për shumë arsye që nuk mund të analizohen dot brenda këtyre pak rradhëve, kjo mund të jetë e kuptueshme, por sigurisht aspak e justifikueshme. Por, kur vjen puna për një sistem demokratik e pluralist i cili ka në themel të saj, raportet e kërkesë ofertës në çdo fushë të jetës, qasja e Lulzim Bashës është e papranueshme. Do të ishte e tillë, edhe nëse ai do të ishte shefi i mazhorancës, e aq më tepër në kushtet kur është kryetari i opozitës. I cili presupozohet që të ofrojë për qytetarët e vendit të vet modele lidershipi shumë herë më pranë tyre, duke i dhënë besimin se kur të vijë në pushtet, kjo do të jetë për të një konstante vijuese.

Po pse ndodh kjo qasje nga ana e Lulzim Bashës, që reflekton dukshëm në sjelljen e tij të përditshme politike, marjen e mbështetjes popullore si një gjë të mirëqenë? Si një të drejtë natyrore që i vjen doemos, bashkë me qenien edhe kryetar opozite? Si një detyrim të qytetarëve dhe jo si një privilegj që duhet fituar përmes një sjellje frymëzuese dhe shpresdhënëse, që i bën ata të të mbështesin çdo ditë e më shumë derisa të ngjizësh frymën e madhe të ndryshimit?

Ka disa arësye për këtë, por më kryesoret janë:

Së pari, Lulzim Basha bën pjesë tek ata liderë politikë që nuk i ka fituar vetë gjërat në jetën e tij politike, por më së shumti ja kanë dhuruar. Duke nisur që nga mënyra sesi hyri në skenën e madhe politike në Shqipëri. Mënyra sesi i arriti njëra pas tjetrës të gjitha postat e larta qeveritare. Derisa qershia mbi tortë, ishte mënyra sesi arriti të ngjitet në krye të PD dhe për rrjedhojë edhe të të gjithë opozitës.

Së dyti, duke qenë se Lulzim Basha i përket atij grupi njerëzish që “ia ka dhuruar babai shtëpinë” politike, ai nuk lufton çdo ditë që ta mirëmbajë atë. Ta rregullojë. Perfeksionojë. E ta bëjë sa më shumë kohë që të kalojë, një ambjent gjithnjë e më të jetueshëm për demokratët dhe opozitarët, e tillë që vjen duke u shtuar e zmadhuar, derisa ti rikthejë në pushtet.

Së treti, nisur nga këto dhe nga fakti se në Shqipëri prej 1997, pra për 24 vjet me radhë mazhorancat dhe opozitat kanë ndërruar rolet çdo 8 vjet, Lulzim Basha duket se e mer të mirëqenë edhe rrotacionin. Ndaj, më shumë sesa të luftojë për ta bërë të mundshmen të realizueshme, ai është nga ato lloj liderësh politikë që pret i shtrirë në hijen e pemës, me shpresën se fruti i pushtetit pasi të piqet do të këputet vetë dhe do të bjerë në mos në gojën e tij, të paktën mbi prehër!

Dhe sëfundi, edhe nëse nuk i ndodh këtë radhë, pra nëse nuk ruhet ai rregulli i pashkruar i deritanishëm për ndryshimin e pushtetit çdo 8 vjet, Lulzim Basha duket se sërisht nuk e ka me nxitim. I del dhe i tepron të qenurit kryetar i pakontestuar brenda PD dhe herët ose vonë, ai mendon se ngado që të rrotullohet ai do të jetë aty kur pushteti të vijë, kurdo që të ndodhë kjo.

Të gjitha këto dhe ndonjë arsye tjetër, duket se përcaktojnë edhe steriotipin e sjelljes publike të Lulzim Bashës, në raport me qytetarët. Në raport me njerëzit e thjeshtë. Pak rëndësi ka nëse ata janë opozitarë apo jo. Ashtu siç i ndodhi edhe këtë të hënë në Manëz. Ku banori ia tha në sy Lulzim Bashës, atë që ndoshta nuk ia ka thënë askush deri më sot, brenda SHQUP, apo gardhit të oborrit opozitar: “Je me vonesë për shumë gjëra, je me shumë vonesë, duhet të jesh më afër me popullin se nuk je”!