Të gjitha brenda një nate. Nuk ka asnjë parullë më të mirë për ta lançuar ndeshjen, në të cilën Interi do të përballet sonte me Getafe, me start orën 21:00. Një kundërshtar spanjoll, që duhet kapërcyer për të hyrë në “Final Eight” të Ligës së Europës. Në konferencën e djeshme për shtyp, trajneri Antonio Conte u përpoq ta zhvendoste vëmendjen tek angazhimi që i pret djemtë e tij. Fitorja dhe kualifikimi shihet si mënyra e vetme për t’iu dhënë goditje vendimtare kritikave që vijnë nga jashtë: “Nuk ka rëndësi nëse “Europa League” është e rëndësishme për mua. Ajo është e rëndësishme për të gjithë ne. Sidomos për Interin. Ne flasim për Interin dhe jo për veten. Nuk e dimë se ku do të arrijmë, por gjëja e rëndësishme do të jetë të mos kemi keqardhje në fund”.

Një përpjekje e qartë për të qetësuar shpirtrat, për të vepruar si “zjarrfikës”, për të shuar një zjarr, që ai e ndezi vetë me deklaratat e forta kundër klubit, pas ndeshjes së fundit të Serie A ndaj Atalantës. Sytë janë kthyer vetëm dhe ekskluzivisht nga “Europa League”. Ndërkohë, Conte planifikon të konfirmojë plotësisht 11-shen që startoi kundër Atalantës, duke e mundur atë në shtëpi. Një përjashtim tjetër për Eriksen, në dritën e dëshirës për të ruajtur me këmbëngulje modulin 3-5-2. Në të, danezi ende nuk është adaptuar. Dyshimi i vetëm ka të bëjë me krahun e djathtë, ku D’Ambrosio është në balotazh me Candreva. Sa i përket mbrojtjes, stol i ri për Skriniar. Godin duket se e ka tejkaluar atë në hierarkitë e prapavijës zikaltër.

Formacionet e mundshme
INTER (3-5-2): Handanovic; Godin, De Vrij, Bastoni; D’Ambrosio, Barella, Brozovic, Gagliardini, Young; Lukaku, Lautaro.
GETAFE (4-4-2): Soria; Damian Suarez, Djené, Etxeita, Olivera; Nyom, Arambarri, Maksimovic, Cucurella; Mata, Molina.