Alfred Rappaport, konsull austro-hungarez në Prizren mes viteve 1897-1900, ishte ndër njohësit më të mëdhenj të çështjes shqiptare. Në vitin 1916 ai u nderua nga Perandori në Vjenë me titullin e kalorësit – dhe emrit të tij Rappaport ia shtoi predikatin “Arbengau”, një kombinim i fjalës mesjetare Arbanum (trevë në Shqipërinë e epërme) dhe fjalës gjermane “gau” (qark, rreth). Fundi i karrierës së tij qe tragjik: më 1920 u detyrua të dalë në pension për shkak të mbiemrit të tij hebraik.

Nga Enver Robelli

Në mesin e diplomatëve austro-hungarezë që kanë shërbyer në Ballkan shquhet sidomos Alfred Rappaport. Ai ishte konsull në Prizren mes viteve 1897-1900. Një ndër detyrat parësore të konsujve të Monarkisë Danubiane ishte kujdesi ndaj komunitetit katolik në trevat e sunduara nga Perandoria Osmane. Mbretëria e Habsburgëve dhe Porta e Lartë kishin nënshkruar marrëveshje, të cilat i garantonin Austro-Hungarisë një protektorat fetar (“Kultusprotektorat”) mbi banorët katolikë në territoret turke.

Pas mbërritjes në Prizren, konsulli Rappaport vërejti se komuniteti katolik nuk ishte homogjen. Kështu prifti nga Prizreni, Simon Lumezi, ishte kundërshtar i protektoratit fetar austro-hungarez dhe përkrahës i lazaristëve, një urdhër katolik i themeluar në Francë në vitin 1625. Lumezi u angazhua për vendosjen e lazaristëve në Prizren dhe për këtë shkak u detyrua të emigrojë në Brazil. Pasi hyri në urdhrin e lazaristëve, Lumezit iu ndalua të lëvizë në territorin e Shqipërisë. Në raportet e tij nga Prizreni Rappaport nuk ngurron të kritikojë klerin katolik edhe për dobësi karakteri.

“Analiza e konsujve shkoi deri aty, saqë njëri nga diplomatët më brilantë në rajon, Alfred Rappaport, madje propozoi që Monarkia të heq dorë nga protektorati fetar dhe t’i përkrahë tërësisht shqiptarët myslimanë – kjo ishte mbase njëra nga idetë më të guximshme që i janë bërë një lartmadhërie apostolike, madje nga njëri prej diplomatëve të paktë në shërbim të Austro-Hungarisë, që nga hebraizmi ishte konvertuar në besimin katolik”, shkruan historiani Oliver Jens Schmitt në parathënien e botimit pesëvëllimor të raporteve të konsujve austro-hungarezë nga Ballkani qendror (“Politika dhe shoqëria në Vilajetin e Kosovës dhe në Kosovën e sunduar nga serbët. Raporte të konsujve austro-hungarezë nga Ballkani qendror [1870-1914], botoi Akademia Austriake e Shkencave, Vjenë 2020).

Rappaport shkeli tokën shqiptare për herë të parë në vitin 1893, duke filluar punën në konsullatën austro-hungareze në Shkodër. Në qendrën kulturore të Shqipërisë veriore Rappaport qëndroi katër vjet. Ndoshta as vetë nuk e kishte paramenduar se pas disa dekadave do të bëhej njëri prej njohësve më të mëdhenj të historisë dhe rrethanave politike shqiptare në gjysmën e parë të shekullit të 20-të. Në fillim ai me gjasë qe aq i tronditur me mjerimin në Shkodër, saqë u ankua për varfërinë sociale dhe intelektuale në një vend larg botës së civilizuar “mes një popullsie krejtësisht barbare”.

Më 1897 Rappaport u emërua konsull në Prizren. Sipas historianit amerikan William D. Godsey, diplomati Rappaport nga Shkodra në Prizren shkoi me kalë, ndërsa për shkak të rrugëve të këqija dhe pamundësisë së transportit, ai ishte i shtyrë që orenditë shtëpiake t’i shesë në Shkodër. Në Prizren Rappaport arriti më 19 prill 1897 – dhe po atë ditë mori detyrën. Atëbotë në këtë qytet kosovar nën sundimin osman nuk kishte stacion telegrafi dhe kjo e vështirësonte komunikimin me botën. Edhe në Prizren Rappaport e shfrytëzoi kalin për të kryer punët e tij në zonën e përgjegjësisë. Nga Prizreni ai i raportonte Vjenës se kishte krijuar raporte miqësore me autoritetet e këtushme dhe me të gjitha qarqet e popullsisë shqiptare.

Nga viti 1900 deri më 1903 Rappaport shërbeu në Bagdad. Nga atje sërish u kthye në Ballkan, kësaj radhe në Shkup, së pari si zyrtar, pastaj si udhëheqës i konsullatës austro-hungareze. Kujtimet e tij nga qëndrimi në Maqedoni Rappaport i botoi më 1927 në Paris (Au pays des martyrs. Notes et souvenirs d’un ancien consul général d’Autriche-Hongrie en Macédonie [1904-1909]). Rappaport kreu gjimnazin e jezuitëve në Kalksburg afër Vjenës. Që në moshën 15-vjeçare ai vendosi të braktisë hebraizmin dhe të konvertohet në besimin katolik. Më 1886 u pranua në Akademinë Orientale të Vjenës, një institucion famëmadh arsimor, ku Austro-Hungaria përgatiste diplomatët e saj për të shërbyer në viset e Perandorisë Osmane. Rappaport fliste gjermanisht, frëngjisht, italisht, anglisht dhe kishte njohuri të gjuhës turke. Pas Akademisë Orientale Rappaport shërbeu në ushtrinë e Monarkisë. Familja e Rappaport ishte me origjinë nga Galicia në Ukrainën e sotme. Gjyshi i tij ishte mjek, babai inspektor hekurudhe, që punoi edhe në Kostandinopojë (Stamboll), ku mori titullin “bej”.

Rappaport vlerësohej si njohës i shkëlqyer i Ballkanit. Në një raport për Perandorin Franz Joseph në vitin 1908, ministri i Jashtëm Alois Freiherr von Aehrenthal e quajti punën e Rappaport në Shkup si “të shkëlqyeshme”. Në vitet në vijim ai shërbeu si referent për Shqipërinë dhe ishte këshilltar i rëndësishëm për Ballkanin i ministrit të Jashtëm Leopold Graf Brechtold. Kur në shkurt të vitit 1914 erdhi për vizitë në Vjenë princi i ri i Shqipërisë, Wilhelm zu Wied, pala austriake caktoi tre njohës të Shqipërisë për ta këshilluar gjermanin: Ludwig v. Thálloczy (1854-1916), Theodor Anton Ippen (1861-1935) dhe Alfred Rappaport (1868-1946).

Për shkak të meritave të tij si diplomat, ministria e Jashtme e Austrisë në vitin 1916 propozoi që Rappaport të nderohet me titullin e kalorësit. Sipas traditës e rregullave ai duhej të zgjidhte një predikat aristokrat, pra një emër që do t’ia shtonte emrit të tij. Rappaport propozoi tri variante: “Drinek” (sipas lumit Drin), “Arward” (aludim në lumin Vardar) dhe “Arbengau”, një kombinim i fjalës mesjetare Arbanum (trevë në Shqipërinë e epërme) dhe fjalës gjermane “gau” (qark, rreth). Pas verifikimit të emrave nga autoritetet, Rappaport mori këtë emër: “Ritter Rappaport v. Arbengau” – dhe kështu u quajt deri në vitin 1919, kur në Austri u hoqën titujt aristokratë.

Fundi i karrierës së tij qe tragjik. Ndonëse ishte konvertuar në katolik, ndonëse i kishte shërbyer me devotshmëri Austro-Hungarisë – ai më 1920 u detyrua të dalë në pension. Rappaport ishte shef i seksionit politik në ministrinë e Jashtme, kur u njoftua se vendi i tij i punës po shuhej për shkak të riorganizimit. Në të vërtetë ai ra viktimë e antisemitizmit ngase kishte mbiemër hebraik, këtë ia kishte thënë edhe eprori i tij. Në një letër dërguar ministrisë së Jashtme austro-hungareze Rappaport u ankua me plot dëshpërim dhe me të drejtë kundër pensionimit të parakohshëm. Deri në vdekje në vitin 1946 Rappaport jetoi në Vjenë, ku u mor me shkrimin e memoareve dhe me përpilimin e teksteve mbi politikën e jashtme, mes tjerash edhe për Shqipërinë (Albaniens Werdegang, 1927).

I shpëtoi terrorit nazist, sepse ishte i martuar me një italiane, të cilën e kishte njoftuar në Selanik. Therese Anelli ishte katolike dhe rridhte nga Palermo. Çifti kishte tre fëmijë: një djalë dhe dy vajza. Njëra nga vajzat e tij, Maria, më 1938 u dëbua nga universiteti – ndonëse si i ati i saj edhe ajo ishte deklaruar katolike. Regjimi barbar nazist nuk lëshonte asnjë rast për të treguar barbarinë e tij. Pas Luftës së Dytë Botërore Maria u pajis me diplomë. Vdiq më 1996.