CIA ka zbardhur të tjera dokumente sa i takon situatës gjatë regjimit komunist. Në disa dokumente tregohet rekrutimi i agjentëve dhe nga Kosova. Ndërsa në një tjetër tregohet se Bashkimi Sovjetik kishte organizuar një puç ushtarak ndaj regjimit të Hoxhës.

11 shkurt 1962; Subjekti, Agron, kombësia shqiptare.

Subjekti (28 vjeç, flokë kaçurrela kafe, i gjatë rreth 160 cm dhe shumë i dobët) ishte me delegacionin shqiptar. Ai i tha Martës dhe Sonias se kishte kushërinj në Shtetet e Bashkuara. Dukej se ishte patriot dhe komunist në të njëjtën kohë. Subjekti qëndroi për gjashtë vite në Moskë ku studioi në një shkollë baleti. Flet shumë mirë rusisht. Në 29 Korrik 1962 i tha Martës dhe Sonjës se nuk kishte asgjë kundër popullsisë në Bashkimin Sovjetik dhe rusëve në përgjithësi, por nuk e pëlqente Hrushovin. Ankohej për imperializmin dhe e akuzonte Hrushovin si imperialistin më të rrezikshëm rus. Subjekti ishte shumë i interesuar në atë se çfarë mund të dinin amerikanët për Shqipërinë dhe se çfarë mund të bënin shqiptarët në mënyrë që ta bënin më të kuptueshme kauzën e tyre në Perëndim sepse subjekti personalisht e “ ndjente detyrë të bënte diçka sado të vogël për atdheun e tij Shqipërinë”. Subjekti ishte shumë kundër Jugosllavisë dhe veçanërisht kundër Titos. Subjekti nuk i kishte problem pikëpamjet revizioniste të Titos, por ishte kundër aspiratave të tij imperialiste kundër shteteve të vogla dhe në këtë temë përmendte edhe Hrushovin. Subjekti u dha vajzave tona një leksion të gjatë mbi aspiratat e Shqipërisë dhe theksoi që konflikti aktual mes vendit të tij dhe Moskës nuk ishte me karakter ideologjik, por plotësisht politik. Rusët sipas tij donin që ta bënin Shqipërinë një vend që i bindej tërësisht urdhrave të tyre dhe ta deprimonin Shqipërinë nga çdo pavarësi kombëtare. Kjo ishte diçka që Shqipëria nuk mund ta pranonte në asnjë rrethanë dhe kjo sipas subjektit ishte nxitësi i konfliktit.

Subjekti ishte shumë i informuar për problematikat kombëtare të Unionit Sovjetik dhe i tha njerëzve tanë se ka takuar edhe disa ukrainas në Moskë. Madje njëherë ai ka qëndruar edhe në Ukrainë. Subjekti siguroi Martën dhe Sonian që problemi ukrainas ishte shumë i rëndësishëm në Unionin Sovjetik dhe mesa dinte ai, kultura ukrainase kishte bërë goxha progres vitet e fundit. Subjekti u pa më së shumti nën shoqërinë e shokut të tij Kiritsin. Ai i dha Martës edhe adresën e tij, që do t’ua dërgoj më vonë.