Përballë një Flamurtari pa motivim, por që dukej qartë që nuk kishte ardhur për shëtitje në kryeqytet, Tirana vuajti jo pak, megjithatë ia doli të marrë një fitore në shifrat 3-0 dhe t’i shkojë edhe më pranë titullit kampion, kur kanë mbetur edhe dy javë nga fundi i rrugëtimit për sezonin 2019-2020.

Mungesa për arsye të ndryshme e disa titullarëve si Muça, Batha, Torrasa e Cale ndikoi jo pak në lojën e bardhebluve, të cilët në minutat e para nuk po arrinin të ndërtonin aksione të qarta sulmuese dhe po vuanin ndjeshëm presingun e miqve.

Megjithatë në daljen e parë të rrezikshme, Cobbinah krosoi në zonë për Ngo’o, por anglezi u mbajt me duar nga shkodrani Olsi Gocaj dhe arbitri Erjon Bastari nuk ngurroi të akordojë 11-metërsh për Tiranën.

Nga pika e penalltisë shkoi sulmuesi i talentuar Ernest Muçi, i cili përtej moshës vetëm 19-vjeçare, gjuajti me gjakftohtësinë e një veterani dhe arriti të mposhtë portierin Bushi, duke shënuar golin e avantazhit për Tiranën.

Deri në fund të pjesës së parë loja u zhvilluar kryesisht në mesin e fushës, me Flamurtarin që u shfaq mjaft këmbëngulës, ndërsa Michael Ngo’o pati një rast të artë për të dyfishuar shifrat, por gjuajti jashtë pas një asisti të Cobbinah.

Pjesa e dytë nis me vlonjatët më kërkues, të cilët ndërtuan disa aksione të rrezikshme, ndërsa për një moment i shkuan shumë pranë golit të barazimit me anë të Vrapit, por gjuajtja e tij përfundoi jashtë kuadratit të Likës.

Megjithatë në minutën e 67’ ishte mbrojtësi i ri i talentuar i Tiranës, Marsel Ismailgeci që gjuajti bukur nga brenda zonës dhe shënoi golin e dytë, një gol që u dha frymëmarrje futbollistëve dhe stafit të bardhebluve.

Më pas deri në fund Egbo menaxhoi lodhjen te të tijtë, duke bërë disa zëvendësime, ndërsa rezultati mbeti i pandryshuar dhe me tre pikët e Marra Tirana shkoi sërish +7 nga Kukësi i vendit të dytë, duke kaluar presionin te verilindorët, të cilët duhet të fitojnë patjetër nesër në Shkodër, për të shpresuar ende te titulli kampion.

Në sfidën tjetër të javës së 34-t, Skënderbeu arriti të triumfojë me rezultatin minimal 0-1 në transfertën ndaj Luftëtarit, falë një goli t shënuar nga sulmuesi kryesor Blerim Krasniqi, vetëm 15 minuta para fundit të takimit.

Edhe korçarët kishin mungesa të shumta në këtë takim, por ia dolën të dominojnë lojën, ndonëse deri në fund shpërdoruan shumë raste dhe vetëm një herë arritën të dërgojnë sferën në rrjetë.

Me këtë fitore, skuadra e drejtuar nag Ilir Daja ngjitet në vendin e katërt me 54 pikë, një më tepër se Teuta, që do të luajë sfidën e saj nesër në mbrëmje përballë Partizanit në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit.