Trupat inspektuese të AKU-së kanë vazhduar edhe sot punën e tyre në të gjithë vendin në inspektime dhe monitorime si pjesë e taskforcës antiCovid. AKU bën të ditur se “janë kryer 652 inspektime dhe monitorime në të gjithë vendin”. Ndërkohë AKU bën thirrje që protokolli i sigurisë kundër përhapjes së sëmundjes COVID-19 duhet të zbatohet rigorozisht nga të gjitha bizneset.

Taskforca antiCovid këmbëngul në çdo monitorim për higjenizimin e ambienteve, mbajtjen e maskave dhe ruajtjen e distancave fizike të blerësve. Gjatë inspektimeve është dhënë një masë administrative në një subjekt ushqimor për mungesë gjurmueshmërie. Me kërkesë të dy subjekteve janë asgjësuar një sasi prej 19035 kg produkte ushqimore me afat të kaluar përdorimi, po me kërkesë të vet, në një magazinë ushqimore janë asgjësuar 41375 kg fruta-perime të papërshtatshme për konsum.

Referuar Planit të Marrjes së Mostrave, janë marrë 50 mostra kryesisht për monitorim të qumështit, por edhe produkteve të mishit. AKU vijon punën në terren në garantim të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së shëndetit të konsumatorit.