Çdo vit plazhi i Darëzezës, në një fshat turistik të vendosur brigjeve të detit Adriatik në qarkun e Fierit po tërheq gjithnjë e më shumë turistë vendas apo të huaj.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, publikoi disa fotografi me pamje nga plazhi i Darëzezës.

“Në Darëzezë të Fierit, ku stacionet e plazheve private dhe publike tashmë janë sistemuar. Darëzeza është një plazh pak i njohur për publikun e gjerë, po me një rërë të zezë kurative. Një relaks i vërtetë në një plazh të bukur”, – shprehet Klosi.

Kjo pjesë e Adriatikut shoqërohet edhe me valët e forta të detit, duke ofruar për të apasionuarit e Kitesurfing (rrëshqitje në valët e detit), windsurf, wakeboard, si dhe sporte të tjera. Bregdeti i Darëzezës është i vetmi në Ballkan ku era krijon dallgë të cilat janë të favorshme për ushtrimin e këtyre sporteve të veçanta në Shqipëri.

Ky plazh ndodhet larg zonave urbane duke u shmangur edhe ndotjen nga derdhjet e ujërave të zeza.Në fundjavë ky plazh është destinacioni i qytetarëve fierakë, e jo vetëm. Rëra këtu është e imët dhe plot jod, mbrëmjet të freskëta dhe mbresëlënëse.
Në këtë zonë ka lokale të shumta që ofrojnë kuzhinën tradicionale vendase.