Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i ka dërguar sot një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, z. Rik Daems, me rastin e 25-vjetorit të pranimit të Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota e Këshillit të Europës.

“Sot vendi im, Shqipëria, mbush 25 vjet si anëtare me të drejta të plota e Këshillit të Europës. Gjatë këtyre viteve, me mbështetjen e fuqishme të Këshillit të Europës dhe partnerëve tanë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, Shqipëria ka bërë përparime shumë të mëdha drejt parimeve e standarteve të demokracisë, konsolidimit të institucioneve demokratike, respektimit të të drejtave të njeriut dhe sundimit të shtetit të së drejtës.

Bashkëpunimi i Shqipërisë me Këshillin e Europës përfshin aktualisht mjaft fusha me rëndësi jetike për progresin e vendit, si forcimi i demokracisë nëpërmjet ligjit, reformimi dhe forcimi i sistemit të drejtësisë, lufta kundër terrorizmit dhe financuesve të tij, lufta kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe trafikimit të qenieve njerëzore, mbrojtja dhe konsolidimi i të drejtave të pakicave etj.

Kuvendi i Shqipërisë është aktualisht i angazhuar në mbështetjen e reformave të rëndësishme në kuadrin e integrimit europian të Shqipërisë, si reforma zgjedhore, reforma në drejtësi dhe plotësimi i rekomandimeve të Këshillit Europian, për përgatitjen e kuadrit negociues dhe çeljen e negociatave.

Europa është sot vendi më i bukur në botë. Programet e zhvillimit të 70 vjetëve të fundit, të mbështetura nga Këshilli i Europës, Bashkimi Europian dhe vendet e tyre anëtare, e kanë bërë kontinentin më pak konfliktual dhe më shumë solidar dhe kanë zbutur mjaft prej asimetrive të kontinentit, të trashëguara nga historia. Kufijtë kulturorë dhe politikë të Europës po bëhen më pak të përfillshëm dhe po afrohen gradualisht me kufijtë gjeografikë të saj. Goditja prej pandemisë na rikujtoi, gjithashtu, për rëndësinë e vlerave tona të përbashkëta.

Shqipëria është një vend i vogël dhe periferik i Europës, por me identitet, histori e rrënjë në kulturën dhe qytetërimin europian. Vendi im, ashtu si Ballkani Perëndimor, po shndërrohet gradualisht në një vlerë të shtuar për familjen europiane.

Me rastin e 25-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës, gjej rastin të përsëris angazhimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të kontribuar në përmbushjen me sukses të standarteve të kësaj organizate të madhe europiane, përkushtuar të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të shtetit të së drejtës dhe t’Ju ftoj për një vizitë zyrtare në Shqipëri, në një kohë të përshtatshme për Ju.”, shkruan në letrën e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.