Bashkimi Evropian ka përditësuar sot, mes debatesh, listën e vendeve qytetarëve të të cilëve do u lejohet hyrja në BE. Gjasat janë që për Shqipërinë të shtyhet edhe me një tjetër 2-javësh përjashtimi nga kjo listë, për shkak të shifrave të të infektuarve me Covid-19.

E ndërkohë që media prestigjoze ndërkombëtare si BBC, shkruajnë sot se “miliona njerëz, në qytete dhe shtete në të gjithë kontinentet, janë duke iu rikthyer karantinës”, në Shqipëri të gjithëditurit e zakonshëm vazhdojnë që të tregojnë me gisht nga qeveria për gjithçka që po ndodh me Covid-19. Dhe përgjithësisht janë të njëjtët që, shanin dhe sulmonin qeverinë edhe në kulmin e izolimit, atëherë kur shifrat e të prekurve ranë ndjeshim, për shkak të masave që mori qeveria. E ndërkohë që “profesionistët e gjithologjisë” duhen lënë të ushtrojnë “profesionin” e tyre, vlen ende të bëhet krahasimi, se ku qëndron sot Shqipëria, sa i përket një treguesi si ai i numrit të viktimave për 1 milion banorë, në krahasim me vendet e rajonit. Përgjithësisht merret ky tregues, pasi është ai që i afrohet më së shumti objektivitetit për një situatë, në të cilën shumë gjëra varen ga vërtetësia e raportimeve.

Shqipëria ka sot 33 të vdekur për 1 milion banorë, ndërkohë që Serbia, një shtet të cilin Bashkimi Evropian nuk e përfshiu në listën e ndaluar 2 javë më parë, e ka këtë shifër 57 viktima për 1 milion banorë. Vendi me më shumë viktima në Ballkan është Republika e Maqedonisë së Veriut, e cila regjistron 185 viktima. Pas saj vjen Bosnja dhe Hercegovina me 69 viktima për një milion banorë, Kosova me 59, Serbia me 57, Sllovenia me 54, Mali i zi me 39 dhe Shqipëria me 33. Dy shtetet me më pak viktima se sa Shqipëria, për 1 milion banorë janë Kroacia dhe Greqia, dy vende anëtare të BE-së, me një varësi të madhe në ekonominë e tyre nga turizmi.