Qeveria shqiptare çeli një ditë më parë garën ndërkombëtare për projektimin, ndërtimin e operimin e segmentit Milot-Fier, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian. Investimi për ndërtimin e këtij segmenti llogaritet rreth 1.2 miliardë euro, i cili do të bëj të mundur rritjen e sigurisë rrugore, rritjen e ndërlidhjes me rajonin dhe Europën por njëkohësisht do të ndikojë në rritjen ekonomike në vendin tonë.

115 kilometrat e segmenti Milot-Thumanë-Kashar-Pezë Helmes-Luz i Vogël- Rrogozhinë- Lushnje-Fier do të përshkohen për 75 minuta, në një rrugë me standardet më të larta të kategorisë A dhe B, që do të ndërtohen sipas të gjithë elementëve të nevojshëm të sigurisë rrugore. Me ndërtimin e këtij aksi rrugor, distanca nga Morina në Fier do të përshkruhet për 3 orë dhe aksesi i të gjithë turistëve që vijnë nga Kosova në bregun e Jonit, jo vetëm që do të jetë shumë më i shpejtë, por do të jetë edhe shumë më i sigurt.

Korridori Adriatiko-Jonian është pjesë e Rrjetit Kryesor të Rrugëve të Ballkanit Perëndimor dhe gjithashtu pjesë e zgjatimit të Rrjetit të Transportit Trans-Europian (TEN-T) në rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili u miratua zyrtarisht në 2016-n. Korridori Rrugor Adriatiko-Jonian do të lidhë Europën Qendrore dhe Italinë e Veriut me pjesën Joniane të Gadishullit Ballkanik nëpërmjet Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Greqisë.