Deputetja e Partisë Socialiste, Senida Mesi deklaroi sot se qeveria synon reduktimin e pabarazisë mes rajoneve. Duke folur sot në Kuvend ku po diskutohet projektligji “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”, Mesi tha se, “minimizimi dhe eleminimi i pabarazive sigurisht që është një faktor shumë i rëndësishëm dhe një punë e përditshme e çdo qeverie. Sa më i madh një vend dhe sa më në zhvillim të jetë ai krijohen diferenca midis rajoneve, qeveria shqiptare përmes këtij pr/ligji synon që të reduktojë pabarazinë”.

“Janë pabarazi, jo vetëm në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, por pabarazi edhe në lidhje me zhvillimin kulturor dhe zhvillimin shoqëror”, tha Mesi. “Zhvillimi rajonal synon një zhvillim të ekuilibruar midis zonave të ndryshme dhe trajton ligjin si një faktor integrues për politikën ekonomike dhe sociale të një shteti”, theksoi Mesi.

“Zhvillimi ekonomik i rajoneve në një mënyrë dhe një qasje të integruar nuk duhet të shihet si një problem vetëm i bashkive apo dhe i qarqeve sepse ka të bëjë me zhvillimin e përgjithshëm, krijimin e një klime inkurajuese dhe konkurruese për biznesin nëpërmjet investimeve në infrastrukturë dhe luftës për të zvogëluar varfërinë apo mundësisë që jep shteti nëpërmjet investimeve dhe për shpërndarjen e të ardhurave”, shtoi ajo. “Për të inkurajuar pikërisht këtë zhvillim të njësive të vogla vjen ky pr/ligj, i cili bën dhe integrimin e politikave buxhetore”, theksoi Mesi.