Prej disa vitesh në treg ka dalë një profesion i ri. Influencerat kanë pushtuar tregun duke u shndërruar kështu në një prej kanaleve më të kërkuara të reklamimit, për markat e reja, apo dhe për ato legjendaret. Në këtë pikë të gjithë mund ta kemi pyetur veten në lidhje me përfitimet që vijnë nga ky profesion. Për të na shuar kuriozitetin ka menduar agjencia Hopper HQ, e cila ka publikuar listën e çmimeve të influencerave më në zë në botë. Një ndër blogeret më në zë në botë, Chiara Ferragni paguhet plot 53 mijë euro për një postim (po e lexuat shumë mirë, po lexojeni tre herë që të bindeni). Bashkëshorti i saj Fedez, ka një çmim paksa më të ulët për postimet në Instagram, 27 mijë e 600 euro.

Në fakt lista e publikuar nga Hopper HQ, po bën xhiron e botës këto ditë. Sigurisht që diçka e tillë pritej duke qenë se njerëzit janë shumë kuriozë në lidhje me fitimet që sjell ky profesion. Veç fitimeve të Chiara Ferragnit nga Instagrami janë publikuar edhe fitimet e yjeve me famë ndërkombëtare, si Cristiano Ronaldo. Futbollisti, i cili së fundmi është shfaqur më i dashuruar se kurrë me Georgina Rodriguez fiton 900 mije dollarë nga Instagrami. Ndërsa në vend të parë qëndron “The Rock” i cili merr një milion dollarë për një postim, i ndjekur nga Kylie Jenner e cila paguhet me 986 mijë dollarë.