Nga Alfred Peza
Nuk ka stinë tjetër që mund ti shkonte më mirë shprehjes së njohur popullore, me peshqit në det dhe tiganët në zjarr, sesa kjo e verës. E si për ironi të fatit, e tillë duket edhe lëvizja e sforcuar e opozitës shqiptare, për të bërë sikur po bën lista kandidatësh për deputetë që tani, ndërkohë që zgjedhjet janë vitin tjetër në këtë vakt.

Pas 30 vjetësh pluralizëm, këto që pritet të zhvillohen, janë zgjedhjet e 10-ta të përgjithshme parlamentare. Numër i mjaftueshëm për të bërë gjithkënd ti kuptojë të gjitha truket, talljet dhe hiletë e liderëve politikë dhe njerëzve rrotull tyre, me anëtarësinë dhe mbështetësit. Ndaj, fushata e PD për këtë qëllim, jo vetëm që nuk po meret seriozisht, por as nuk po arrin që të ngjalli interesin e një minimumi njerëzish, sa për të bërë tu duket sikur kanë interes.

Ka shumë arësye se përse e gjitha çfarë po trumbetohet nga selia blu, është thjeshtë një farsë e Lulzim Bashës, sa për të kaluar edhe këto javë e muaj deri në vjeshtë, në pritje të fillimit të sezonit të ri politik dhe elektoral në Shqipëri.

E para, Parlamenti ende nuk ka miratuar kodin e ri zgjedhor, të miratuar me konsensus mes PS, LSI dhe PD në tryezën e Këshillit Politik. Sikundër, ende nuk ka marë në shqyrtim as tri propozimet e grupeve parlamentare të opozitës parlamentare për listat e hapura, moslejimin e aleancave parazgjedhore dhe pragun 5% të hyrjes në Parlament. Si mundesh të nisësh një garë serioze për kandidatët për deputetë, pa e ditur ende zyrtarisht se me çfarë rregullash loje, do të hysh në garë?!

E dyta, lajmet që vijnë nga fronti opozitar tregojnë një amulli totale në raportin mes një udhëzimi të brendshëm me 4 fazat e këtij procesi dhe mënyrës së zbatimit të tij në praktikë. Një herë del në skenë emri i Genc Rulit si njeriu që do udhëheqë këtë proces. E për tu harruar më shpejt se sa nisi të qarkullojë, sepse në skenë ka dalë emri i Alfred Rrushës. Pas tij u tha se as ai nuk do jetë i vetëm por me këtë gjë do meret një komision me 5 personalitete dhe me dy sekretarë! Çka tregon se ka nisur një ndeshje, pa caktuar ende jo vetëm rregullat e lojës, por as edhe arbitrin e saj?!

E treta, si është e mundur që të nisësh një proces serioz dhe të mos i pranosh çdo kryetari partie nëpër degët lokale dorëheqjet, si një rregull i presupozuar i njëjtë për të gjithë por të pranosh vetëm disa prej tyre?! Kjo do të thotë se lista është bërë njëherë, ndërkohë që tani po kërkohet që të bëhet shfaqja, sikur gjoja do të ketë garë dhe proces. Pyetja që lind pas kësaj është: Përse nuk po vendosen të gjithë pretendentët në kushte të barabarta gare?!

Dhe e fundit, ndërkohë që të gjithë ata që e kanë marë seriozisht këtë garë, po bëjnë gjithçka për të zbatuar udhëzimin dhe për të ndjekur rrugën e treguar për tia dalë që të kenë nesër mundësi për tu bërë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë, del në mes të lojës një rregull i ri, i pa përcaktuar më parë. Sipas të cilit, kushdo që ka patur kontribute në PD këto tri dekadat e fundit dhe i teket që të rikthehet në SHQUP për tu bërë pjesë e garës së 2021, futet automatikisht në listë!

Do të mjaftonte qoftë edhe kaq, për të kuptuar se e gjitha çfarë po ndodh me këtë proces në kampin opozitar, është thjeshtë një imitim i shëmtuar i komedisë së Shekspirit “Ëndër e një nate vere!” Një shfaqje e shëmtuar, për ti bërë që të shpresojnë se do jenë në listën e shumëndërruar prej tyre, e për ti zhgënjyer si edhe herët e tjera. Sepse me sa duket qartë peshku i zgjedhjeve është ende në det, ndërkohë që Lulzim Basha, bën sikur i ka vënë listat e kandidatëve për deputetë në… zjarr.