Drejtoria e QSUT-së pranon se në shërbimin e Reanimacionit ka të shtruar me COVID-19, por thotë se kjo ndodh vetëm në rastet e pacientëve me gjendje të rënduar shëndetësore, transferimi i të cilëve tek Infektivi është i pamundur dhe mund t’i rrezikojë jetën. Në një reagim që vjen si përgjigje e denoncimit të PD-së, se po fshihen pacientët me COVID duke u trajtuar tek Reanimacioni i QSUT-të, drejtoria e kësaj qendre spitalore, thotë se të identifikuarit marrin trajtimin mjekësor duke zbatuar masat për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Në një njoftim publik thuhet se të gjithë pacientët e trajtuar në këtë shërbim për urgjenca të ndryshme dhe që mund të dyshohet se janë të prekur me COVID, izolohen në bokse të veçanta pa pasur kontakt me pacientët e tjerë dhe stafi mjekësor përdor mjetet mbrojtëse për të parandaluar infektimin nga virusi. Nëse nga tamponët e marrë ata rezultojnë pozitiv, transferohen në infektiv, dhe vetëm në rastet e vështira trajtohen aty.