Paraqitja kundër Bylis në Kupë u shoqërua me shumë dyshime dhe më shumë se humbja, Tirana mori një goditje të rëndë psikologjike. Kjo u vërtetua më pas në Superligë, ku bardheblutë morën një tjetër goditje të rëndë, që nëse është shpejt për të thënë se I rrezikon sezonin, atëherë e sigurt është që amplifikon presionin te të besuarit e Emanuel Egbo në katër ndeshjet e mbetura deri në fund të kampionatit. Tiranës nuk i lejohen më hapat fals.

Këtë e thotë tabela e renditjes, ku pas disfatës me Kukësin, diferenca me djekësit dhe rivalët kryesorë në garën për titull është ngushtuar në gjashtë pikë. Si rrjedhojë skuadra e Egbo duhet të reagojë që në derbin e së premtes, që kthehet vendimtar. Përveç rivalitetit historik, kjo ndeshja bëhet më e vështirë, pasi Partizani është në kërkim të pikëve për të shpëtuar sezonin deri tani zhgënjyes me një vend në Kupat e Europës.

Përpara kësaj sfide, Tirana rigjen të gjithë titullarët. Doka dhe Batha kthehen të gatshëm pasi shlyen pezullimin me kartonë në ndeshjen e fundit. Kjo I jep mundësi Egbo të projektojë sërish formacionin e tij të preferuar, megjithëse deri në ditën e ndeshjes duhet monitoruar gjëndja fizike e Elton Kale, që e shqetëson dëmtimi i hershëm në shpatull.