Ministrja Besa Shahini ka zhvilluar ditën e sotme një takim me fituesit e bursës nga Fondi i Ekselencës të MASR për vitin akademik 2020-2021, të cilët do të kryejnë studimet e ciklit të dytë dhe doktoraturës jashtë vendit në universitetet më të mira të botës. “14 studentë të shkëlqyer do të mbështeten me bursë nga Fondi i Ekselencës i MASR për të kryer studimet jashtë vendit”, njoftoj ajo ndërsa nënvizon faktin se “ata janë pranuar në universitetet më të mira të botës, si Harvard, Columbia apo Maastricht, në degë të ndryshme, nga Planifikimi Urban, Sistemet e Integruara të Ndërtimit, deri tek Inxhinieria Biomjekësore”.

Gjatë takimit, Ministrja Shahini ka bashkëbiseduar mbi reformat e deritanishme në sistemin arsimor, si dhe ka marrë një sërë sugjerimesh për t’u përmirësuar në vijim. Teksa uron ekselentët për një rrugëtim sa më të mbarë akademik, Znj. Shahini shprehet se mezi pret që përvojën e vyer që do të fitojnë jashtë ta përkthejnë në dobi të projekteve të rëndësishme për zhvillimin e vendit.