Forcohen kapacitetet e testimit, me hapjen e laboratorit të QSUT, ku do të kryhen testimet për pacientët e spitaleve COVID

17 Korrik, Tiranë- “Pas laboratorit të referencës në Institutin e Shëndetit Publik, testimet molekulare për identifikimin e SARS COV2 do të kryhen edhe në QSUT”. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inspektoi sot laboratorin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku deklaroi se po forcohen kapacitetet për kryerjen e testeve Real Time PCR. “Me hapjen e këtij laboratori të dytë, krijojmë baza të mira për të rritur dhe për të zhvilluar testimin, i cili në fakt do të vijojë të ketë një objektiv kyç: gjurmimin e rasteve dhe izolimin e tyre. Sepse ne për asnjë moment nuk e kemi humbur vëmendjen nga qëllimi primar i testimit. i cili është pikërisht gjurmimi, izolimi dhe mundësia e kufizimit dhe e ndërprerjes së zinxhirit të infeksionit. Ky laborator i çertifikuar, siç e premtuam, do të rrisë kapacitetet e testimit dhe për t’iu përgjigjur strategjisë së testimit të realizuar me ekspertizën e Komitetit Teknik të Ekspertëve”, tha Manastirliu.
Duke folur për kapacitetet e testimit, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se synohet cilësi në këtë proces.

“Aktualisht në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik, që është një laborator reference, kapacitetet e testimit janë nga 500-1 mijë testime ditore dhe me hapjen e këtij laboratori për pacientët e spitaleve COVID, vijojmë rrisim kapacitetet, por rëndësi ka cilësia e testimit, ndaj dhe ky laborator është i biosigurisë 2, i çertifikuar nga OBSH” – tha Manastirliu.
Shefi I Shërbimit të Laboratorit të Mikrobiologjisë në QSUT, prof. Andi Koraqi, tha se çdo gjë është gati për të nisur punën për testimin e pacientëve të spitaleve COVID. “Laboratori është I çertifikuar dhe tashmë jemi gati për të nisur punën më pacientët e spitaleve COVID të Tiranës”, tha Koraqi. Drejtuesja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino tha se ky laborator i plotëson të gjitha kushtet e biosigurisë dhe do të jetë një ndihmë e madhe për luftën ndaj SARS COV2. Laboratori I Mikrobiologjisë në QSUT do të vijojë edhe testimet serologjike për stafet mjekësore, pas Tiranës, edhe për stafet në spitalet rajonale. Aktualisht përqindja e pozitivitetit ështët nën 5.5%.