Milani e ka ftuar sulmuesin suedez Zlatan Ibrahimovicin për përballjen e sotshme kundër SPAL-it në Serie A, pasi futbollisti është shëruar plotësisht nga lëndimi i kofshës që e pësoi sapo i rinisi stërvitjet me kuqezinjtë pas pauzës shkaku i koronavirusit. Zlatan Ibrahimovic nuk ka luajtur ende në asnjë ndeshje për Milanin që kur sezoni 2019/20 ka rinisur, pas pauzës tremujore shkaku i përhapjes së koronavirusit.

Megjithatë, 38-vjeçari u kthye në stërvitje në fund të javës së kaluar dhe tani ai është vlerësuar se është gati për t’u kthyer në fushën e lojës. Ashtu siç sugjeroi edhe trajneri Stefano Pioli në konferencën për shtyp të së martës, tani Ibrahimovici është kthyer në skuadrën e Milanit dhe mund të jetë edhe titullarë në ndeshjen kundër SPAL-it. Ndërkohë, mbrojtësi Leo Duarte do t’i mungojë edhe më tutje skuadrës së kuqezinjve, pasi që ai ende s’ka arritur të shërohet plotësisht nga lëndimi i tij.

Skuadra e plotë e Milanit për ndeshjen kundër SPAL-it: Begovic, A Donnarumma, G Donnarumma; Calabria, Conti, Gabbia, Theo Hernandez, Kjaer, Laxalt, Romagnoli; Bennacer, Biglia, Bonaventura, Brescianini, Calhanoglu, Kessie, Krunic, Paqueta, Saelemaekers; Castillejo, Ibrahimovic, Leao, Maldini, Rebic.