Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se gjatë takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Bruksel, ka kërkuar që të hapen të gjitha arkivat shtetërorë serbe në lidhje me të zhdukurit, por edhe borxhet e obligimet ekonomike. Gjatë një interviste televizive, Hoti tha se nuk do të lejojë që të ulen në tavolinë e dialogut dhe të shtyhen për çështjet që duhet të jenë pjesë e marrëveshjes me Serbinë, por do ta mbajë diskutimin në nivel të parimeve që janë për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve.

“Kam kërkuar të hapen të gjitha arkivat në Serbi, të ketë drejtësi dhe të ketë kujdes me familjet e të zhdukurve. Çështja e dytë që është diskutuar janë të gjitha çështjet financiare, të borxhit në mes dy vendeve por dalim pastaj edhe te bashkëpunimi i tanishëm ekonomik. Te obligimet janë për shembull shtesat e fëmijëve që nuk janë paguar, kursimet bankare, asetet bankare që janë marrë”, tha Hoti. Te bashkëpunimi ekonomik, kryeministri i Kosovës tha se “ne kemi propozuar që të ndiqen 4 parimet bazë, lëvizja e lirë e njerëzve, lëvizja e lirë e mallrave, etj, pastaj infrastruktura siç është hekurudha e autostrada dhe mbi të gjitha heqja e barrierave ekonomike në mes dy vendeve”. “Këto janë çështje që do të bëhen pjesë e marrëveshjes finale, ku do të përfshihet edhe dëmet materiale që janë bërë gjatë vitit 1998-99”, tha ai duke shtuar se ky është pozicioni shtetëror i Kosovës./KosovaPress