Gazeta italiane “Il Fatto Quotidiano”, ka botuar një skandal, që përfshin ish-senatorin Sergio De Gregorio dhe këshilltarin e Ilir Metës, Ilir Kulla Bëhet fjalë për një histori zhvatjesh, pastrimi parash dhe ç’është më e rënda, një fushate për rrëzimin e Edi Ramës.

Si është historia? Ish-senatori italian, i njohur në vendin fqinj për rrëzimin e Qeverisë “Prodi” në vitin 2008, pasi kaloi me “Forca Italia”, nga përgjimet e Prokurorisë, pas arrestimit të vitit 2017, rezulton se qendron pas fushatës shpifëse për ardhjen e mbetjeve kimike nga Italia në Shqipëri. Këtë gjë, ai e kishte organizuar me Ilir Kullën, këshilltarin e Ilir Metës. Sipas përgjimeve, De Gregorio ka marrë 55 mijë euro borxh nga një person me emrin Eraldo Barletta, dhe 30 mijë euro i ka kaluar Ilir Kullës. 25 mijë euro të tjera i investoi vetë. Në përgjimet, rezulton se Barletta është ankuar se ku përfunduan paratë, pasi Kulla pretendonte se nuk i kishte marrë kurrë ato para.

Por më e rënda nga ajo që del nga përgjimet, është fakti se këshilltari i presidentit Meta, Ilir Kulla, ka angazhuar ish-senatorin De Gregorio, për të organizuar një fushatë shpifjesh, gjoja se në Shqipëri po vijnë mbetje kimike nga Italia, me qëllim rrëzimin e Edi Ramës. “Bazuar në atë që doli nga përgjimet, Kulla i kishte dhënë një ‘mandat’ De Gregorios, për të organizuar, përmes njohjeve të tij dhe mjeteve të komunikimit në dispozicion të tij, një fushatë shpifjesh në shtyp për qeverinë shqiptare, e cila do të provokonte rënien e saj ”, shkruan gazeta italiane. “Ilir Kulla është këshilltari politik i presidentit Ilir Meta dhe ky skandal do të krijojë jo pak siklet në shtetin ballkanik”, vijon gazeta, e cila flet me tej për lidhjet e Ilir Kullës në Siri dhe Itali. “Ilir Kulla, këshilltar i presidentit aktual Ilir Meta dhe presidentit të mëparshëm Rexhep Meidani, rezulton të ketë qenë mik personal i Salah El Din Kuftaro, djali i Muftiut të madh, autoriteti më i madh fetar në Siri dhe drejtorit të Abou Nour, fondacioni më të madh islamik në Lindjen e Mesme.

Jo vetëm kaq, duke pasur shumë lidhje në Romë, Kulla ishte ndërmjetës për lirimin e dy vajzave italiane në vitin 2004, Simona Torretta dhe Simona Pari, të cilat u rrëmbyen në Siri”, shkruan gazeta italiane. Ky është një nga ato skandale, që kërkon përgjigjie urgjente nga presidenti Ilir Meta, i cili duhet të dalë e të thotë nëse qendron vetë ai personalisht pas fushatës për rrëzimin e Edi Ramës, pasi janë paguar shumë para. Prokuroria nga ana tjetër duhet të bëjë punën e saj, pasi kemi të bëjmë me një krim të rëndë, ku dyshohet se është përfshirë vetë presidenti i shtetit, në një puç shtetëror.