Arritja më e madhe e presidencës kroate të BE-së është hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ku u dha mesazhi se ato kanë një perspektivë europiane, deklaroi ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grliç Radman. ”Kroacia realizoi prioritetet e përcaktuara ndërsa kryesoi BE-në edhe gjatë COVID-19 dhe bëri maksimumin që mundi si përgjigje ndaj tërmetit të Zagrebit”, shtoi ai.

”Për shkak të pandemisë së koronavirusit, presidenca është realizuar në distancë fizike, por kanalet e komunikimit u ruajtën”, tha Radman në një ceremoni, dy javë para përfundimit të presidencës së radhës të Kroacisë. “Ne mbajtëm premtimet për gjithçka që përcaktuam si përparësi”, theksoi Radman. “Arritjet më të mëdha janë hapja e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe Samiti i Zagrebit me vendet e Ballkanit Perëndimor, ku u dha mesazhi se ato kanë një perspektivë europiane”, vijoi ai.

Një ditë pas konfirmimit amerikan për tërheqjen e trupave nga Gjermania, sepse kjo e fundit nuk po kontribuon me të paktën 2% të PBB-së së saj për mbrojtjen, ashtu siç ishte premtuar, Radman përsëriti se ai dhe homologët e tij të BE-së folën me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo. “Paqja transatlantike nuk ka asnjë alternativë” tha ai, duke përsëritur se Kroacia kishte demonstruar përkushtimin e saj për paqen, përfshirë paqen transatlantike. “Kjo duhet të merret në konsideratë për forcimin e trupave mbrojtëse të vendeve anëtare të NATO-s”, tha Grliç Radman.