Interi raportohet se është favoriti për ta siguruar transferimin e mesfushorit të Brescias, Sandro Tonalit, gjatë afatit kalimtar të verës, pasi që italiani e ka shprehur dëshirën e tij për transferim në Giuseppe Meazza. Sky Sport Italia raporton se italiani, i cili i mbushi 20 vjeç në maj, e preferon një transferim në Inter në fund të këtij sezoni, përkundër që ende nuk ka arritur marrëveshje personale me zikaltrit, transmeton Gazeta Express. Po i njëjti medium pretendon se Interi e ka një epërsi të madhe tani në garën kundër Juventusit për t’i siguruar shërbimet e Tonalit për sezonin e ardhshëm.

Afati kalimtar do të jetë më ndryshe këtë vit dhe Interi nuk ka nevojë të ngutet për të arritur marrëveshje me Brescian, pasi që drejtuesit e gjigantit italian janë të bindur se do të arrijnë marrëveshje brenda afatit kohor.Tonali ka luajtur në gjithsej 23 ndeshje gjatë këtij sezoni të Serisë A. Përkundër paraqitjeve të tij mbresëlënëse, ku ka kontribuar me një  gol dhe pesë asiste, Brescia rrezikon të bjerë nga liga elitare e futbollit italian në fund të sezonit. Brescia aktualisht radhitet në pozitën e fundit në tabelën e Serisë A, me nëntë pikë më pak sesa Genoa, që radhitet në pozitën e 17-të në tabelë. Tonali do të tentojë ta dëshmojë sërish se pse e meriton këtë interesim nga dy gjigantet e Italisë, Interi dhe Juventusi, kur të rinisë sezoni i Serisë A me ndeshjen kundër Fiorentinës, më 22 qershor.