Kategoria superiore tashmë ka ardhur në një fazë vendimtare. Nga fundi i kampionatit duhen edhe pesë javë dhe të gjitha skuadrat po bëhen gati për një sforco të fundit për të arritur objektivat e tyre.

Për sa i përket titullit kampion Tirana është ndjeshëm më e avantazhuar. Bardheblutë e kanë vetë në dorë fatin e tyre, kryesojnë me 9 pikë dhe mund të shpallen matematikisht kampion që në takimin e ardhshëm nëse ja dalin të mposhtin Kukësin në ndeshjen direkte.

Ndërkohë që një luftë mjaft e fortë po zhvillohet për një vend në kupat e Evropës. Në garë janë 4 skuadra. Teuta, Laçi, Skënderbeu dhe Partizani që ndahen nga vetëm 3 pikë. Teuta e vendit të tretë ndodhet në kuotën e 50 pikëve ndërsa partizani që mban vendin e gjatë është në kuotën e 47 pikëve.

Matematikisht në lojë janë edhe Bylis dhe Vllaznia por për këtë dy skuadra duket mjaft e vështirë duke parë edhe ecurinë që kanë pasur gjatë këtij sezoni.

Tani është momenti për të dhënë çdo gjë në fushën e lojës. Koha po mbaron dhe çdo hap i gabuar në këtë fazë të kampionatit do të ndikojë shumë në verdiktet përfundimtare .