Damian Gjiknuri fajëson përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare për mos arritjen e një marrëveshjeje për reformën zgjedhore.

Në përfundim të mbledhjes së Këshillit Politik, Gjiknuri tha se mazhoranca adresoi edhe kushtet më ekstreme të opozitës, por Bylykbashi e Vasili dolën me kërkesa të reja.

Duket se një nga pikat që ndan palët është implementimi i teknologjisë në zgjedhje, si identifikimi biometrik i votuesve.

Gjiknuri la të kuptohet se do t’i drejtohet Parlamentit për të avancuar me reformën zgjedhore. Ai tha se ditën e nesërme do të informojë komisionin parlamentar për reformën zgjedhore, duke nënkuptuar se mazhoranca është e gatshme të vijojë me reformën zgjedhore edhe pa opozitën.

Komisioni parlamentar ka afat deri në 30 qershor për të miratuar ndryshimet e reformës zgjedhore.

Damian Gjikuri:

Dua të informoj publikun, që gjatë gjithë kësaj kohe kemi trajtuar me shumë seriozitet rekomandimet e ODIHR dhe një pjesë të mirë të kërkesave të opozitës.

Sot që flasim kemi vetëm një produkt gati të përfunduar. Kemi gjetur hapësirën dhe do t’i përfshijmë, por nuk mundet që pasi biem dakort dhe pasi reflektojmë një pjesë të mirë për kërkesat që ishin parakusht, edhe me dëshmitarë ndërkombëtarë, të çedohet dhe të dilet me kërkesa të reja.

Megjithatë ne nuk heqim dorë. Dyert dhe dritaret e mazhorancës janë të hapura.

Ne kemi adresuar edhe kërkesat më serioze apo ato që quheshin parakushte të opozitës, nuk dua t’i deklaroj këtu. Por edhe ato që i quanin kushte të domosdoshme, ne do të marrim përsipër për t’i adresuar me kushtin që të merren parasysh propozimet e ODIHR, mbi të gjitha depolitizimin.

Ne kemi adresuar kërkesa që asnjë opozitë shqiptare nuk i ka menduar asnjëherë në Shqipëri. Shumë shpejt do ta shikoni, unë do të bëj një listë me të gjitha kërkesat që ne i kemi adresuar.

Dhe do të habiteni kur të shikoni se disa nga kërkesat që ata thoshin “pa këtë nuk ka” janë adresuar. Një gjë ju garantoj, administrata do të jetë shumë profesionale.

Punonjës shteti ose jo ka të drejtë të aplikojë, komisionerët do të zgjidhen me short, do të ketë edhe përmirësim teknologjik.

Opozita jashtëparlamentare është në të mirën e saj të na bashkëngjitet megjithatë e kam thënë, Kuvendi i ka votat. Shqetësimet i kemi reflektuar, se opozita ka një problem me Vettingun, atë e njeh Kushtetuta nuk e njeh opozita.

Pyetini ata ja u kanë pranuar identifikimin biometrik. Kodi Zgjedhor do përmbyllet brenda këtij sesioni parlamentar sepse Shqipëria ka nevojë për një Kod të ri para zgjedhjeve.
Deklarata për median e bashkëkryetarit të Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore z.Damian Gjiknuri

Pyetje: Z.Gjiknuri çfarë ndodhi, pse nuk pati një konsensus?

Gjiknuri: Dua të informoj njëherë të gjithë publikun që na ndjek, që gjatë gjithë kësaj kohë, edhe komisioni i Reformës Zgjedhore, por edhe Këshilli Politik, ka trajtuar me shumë seriozitet të gjitha rekomandimet e ODIHR, të gjithë çështjet që kanë pasur problematikë palët për sa i përket zgjedhjeve shqiptare dhe mbi të gjitha është munduar të adresojë dhe një pjesë të mirë të kërkesave të opozitës. Sot që flasim kemi një produkt, një kuadër gati të përfunduar me të gjitha çëshjet dhe rekomandimet e ODIHR, po mbi të gjitha, disa kërkesa thelbësore që ditët e fundit opozita i kishte kthyer si një kusht, pra ne kemi gjetur hapësirën dhe do ti përfshijmë ato.

Por, nuk mundet që pasi të biem dakord dhe pasi reflektojmë një pjesë të mirë edhe të kërkesave që quheshin parakusht për organizimin e zgjedhjeve, dhe me dëshmitarë ndërkombëtarë, të fillohet dhe të çedohet duke hequr dorë dhe duke dalë me kërkesa të reja, megjithatë ne nuk e humbim qetësinë, ne do të vazhdojmë të ndjekim procesin ligjor. Unë nesër do të informoj Kuvendin dhe shumë shpejt do të paraqes edhe paketën e dytë, do të informoj Komisionin e Reformës Zgjedhore, dhe njëkohësisht dyert dhe dritaret e komunikimit janë të hapura me opozitën për të vazhduar për të mbyllur dhe ato pak gjëra që ata kanë filluar të ndryshojnë mendje.

Pyetje: A keni lëshuar pe për mjetet e identifikimit?

Gjiknuri: Ne kemi adresuar edhe kërkesat më serioze, apo ato që quheshin parakushte të opozitës. Nuk dua ti deklaroj këtu, sepse nuk më pëlqen diplomacia me megafon, nuk jam këtu për të negociuar nëpërmjet mikrofonave, siç bëri ndonjë koleg më përpara, por thashë që edhe ato që para dy ditësh i quanin kushte të domosdoshme, ne do të marrim përsipër risqet për ti adresuar, me kushtin që të adresohen rekomandimet e ODIHR, mbi të gjitha për një administratë të pavarur zgjedhore ku palët politike kanë garancitë e tyre.

Pyetje: Çfarë propozuan ndërkombëtarët?

Gjiknuri: Miqtë ndërkombëtarë kanë inkurajuar dialogun dhe natyrshëm do të mbrojnë ato standarde kushtetuese të arritura për drejtësinë dhe integritetin e procesit të drejtësisë në Shqipëri, kjo është e thënë qartë.

Pyetje: Duket sikur është arritur një marrëveshje, të paktën në parim, kanë gënyer ambasadën amerikane për qëndrimin?

Gjiknuri: Unë nuk di kush është gënjyer apo jo, e dinë vetë të zotët e punës. Nuk kam marrë përsipër të interpretoj të vërtetat siç i kuptojnë ata, por unë dua të them një gjë: ne kemi adresuar kërkesat që asnjë opozitë shqiptare nuk i ka menduar ndonjëherë në Shqipëri dhe shumë shpejt, unë do të bëj një informim shumë të shpejtë për publikun, me pika, kush janë të gjitha kërkesat që ka bërë opozita. Pjesën më të madhe të kërkesave që ka bërë opozita ne I kemi adresuar, do ta shikoni vet, publiku do të informohet dhe do të habiteni kur të dëgjoni që një pjesë e mirë e atyre kërkesave që ata I vinin si kusht, që pa to nuk kishte konsensus, janë adresuar plotësisht. Paketa duhet të jetë e plotë, nuk mundet që unë të adresoj një shqetësim tëndin që e ke serioz dhe ndërkohë ti të mos heqësh dorë nga kërkesa të tjera që mund të jenë absurde. Për një gjë ju garantoj, administrata do të jetë shumë profesionale, palët politike do të kenë garanci shtesë, nuk i mohohet asnjë e drejtë, le çfarë thonë që do të marrim ne komisionerët, skema e rekrutimit të komisionerëve është e hapur, kushdo qytetar i Republikës së Shqipërisë, punonjës shteti ose jo, ka të drejtë të aplikojë për të qenë komisioner. Komisionerët do të zgjidhen me short dhe do të ketë proces ekstra teknologjik që nga monitorimi me kamera dhe procese të tjera që unë do ti shpjegojë shumë shpejt.

Pyetje: Do të vijoni takimet e Këshillit Politik?

Gjiknuri: Ne jemi të hapur për çdolloj takimi, ndërkohë ne do të vazhdojmë punën sepse Shqipëria ka nevojë për një Kod Zgjedhor. Opozita jashtëparlamentare besoj është në të mirën e saj që të vijë e të na bashkohet që ta çojmë këtë proces përpara së bashku. Megjithatë e kam thënë, Parlamenti është legjitim, i ka votat dhe pritja nuk mund të vazhdojë pafund. Pjesa më e madhe e shqetësimeve të opozitës janë reflektuar. se opozita ka një problem me vetingun nuk do ta njohi, e ka njohur Kushtetuta shqiptare. Keni parë ju të krijohen ishuj drejtësie që nuk i njeh Kushtetuta shqiptare? Më gjeni një rast. Pra nga njëra anë pranohet dhe të gjitha palët pranojnë që është detyrim kushtetues, në të mirën e vendit pavarësisht se ka ecur ngadalë, nga ana tjetër te zgjedhjet nuk duhet veting! Janë ca gjëra që nuk gjejnë argument logjik kur drejtohen. Thashë të gjitha të tjerat, rekomandimet e ODIHR përsa i përket depolitizimit të administratës zgjedhore me garancinë shtesë që do opozita atje, që të ketë njeri politik atje për ta ndjekur procesin nga afër është pranuar, edhe ato të tjera që quheshin deri diku ekstreme, qeveria do të bëjë çmos për ti pranuar nëse janë të realizueshme, por thashë që angazhimi është i plotë dhe shumë shpejt unë do të bëj publike një parashtresë të të gjitha pikave që ne i kemi reflektuar kërkesat e opozitës, pra një listë të tërë të tyre që janë marrë parasysh.

Pyetje: Z.Bylykbashi tha se pa identifikimin biometrik nuk vijohet më tej, kjo gjë është arritur, keni lëshuar pe apo jo?

Gjiknuri: Pyeteni Z.Bylykbashi atëherë nëse është realizuar 100% identifikimi biometrik, janë dakord, kanë më pretendime?Duhet ta pyesni këtë.

Pyetje: A është Kryekomisioneri pjesë e debatit që ka sjellë sot opozita në tryezë?

Gjiknuri: Kryekomisioneri votohet me një shumicë të cilësuar dhe natyrshëm ne do të bëjmë konsultime për emra, edhe me PD nëse ka vërtetë kandidatura interesante dhe ata mund të aplikojnë për të shkuar drejt procesit parlamentar. Zgjedhja e anëtarëve të KQZ, pra komisionerit, trupës së ankimit dhe trupës së rregullatorit ka pak a shumë të njëjta procedura siç zgjidhen edhe gjyqtarët e lartë, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Pyetje: Mund të na thoni cila kërkesa të opozitës janë pranuar?

Gjiknuri: Thashë që janë pranuar shumë kërkesa që si ka pasur asnjë opozitë. Unë nuk dua ta deklaroj tani, por unë dua që ti pyesni ata, jua kanë pranuar teknologjinë? Sepse unë kam si parim që nuk dua të bëjë megafonin, për aq kohë sa ka edhe dëshmitarë ndërkombëtarë për ato çfarë kemi ofruar ne, besoj se dhe në respekt të tyre, unë nuk duhet të them gjithçka këtu.

Pyetje: A do ketë një Kod të ri Zgjedhor brenda këtij sesioni parlamentar?

Gjiknuri: Patjetër që Kodi Zgjedhor do të duhet të mbyllet brenda këtij sesioni, dhe natyrshëm do të mbyllet, sepse duhet të ketë një Kod të ri Zgjedhor gati 1 vit përpara zgjedhjeve parlamentare të radhës.

Faleminderit!