Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini nëpërmjet një postimi në rrjete sociale ka uruar të gjithë maturantët, të cilët ditën e nesërme do të zhvillojnë provimin e parë të Maturës Shtetërore.

Fillimisht, ajo shpreh mirënjohjen për çdo nxënës, prind e mësues përballimin me sukses në mbylljen e këtij viti shkollor:”Arritëm ta mbyllim këtë vit të vështirë shkollor, falë qëndrueshmërisë së nxënësve, durimit të prindërve dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm të mësuesve tanë që brenda një kohë të shkurtër e përballën me sukses realitetin e krijuar nga tërmeti shkatërrues dhe pandemia vdekjeprurëse. Mirënjohje të veçantë për secilin prej jush!”, shprehet ajo ndërsa uron maturantët për provimet:”Tashmë jemi në atë “fazën finale të maratonës” për maturantët tanë, të cilët ditën e nesërme kanë provimin e parë të Maturës Shtetërore. Suksese të përzemërta secilit prej tyre në çdo provim dhe i dëshiroj gjithë të mirat në rrugëtimin e tyre jetësor”.