Kreu i demokratëve në Senatin amerikan, Chuck Schumer i bën thirrje Departamentit të Shtetit të përpiqet me të gjitha mënyrat për të mbështetur marrëveshjen për reformën zgjedhore në Shqipëri, si dhe kërkesën e diasporës shqiptare për të drejtën për të votuar nga vendet ku jetojnë.

Në një letër dërguar të Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, Schumer shkruan se “si senatori më me eksperiencë nga Nju Jorku, ku ka një komunitet të madh shqiptaro-amerikan dhe si përkrahës prej kohësh i demokracisë dhe vetvendosjes në Shqipëri dhe Ballkan, ju drejtohem ër të shprehur mbështetje për përpjekjet e fundit për të përmirësuar procesin zgjedhor në Shqipëri, një ndër demokracitë më të reja në Europë”.

Senatori e cilëson marrëveshjen që premton “të përmirësojë transparencën në administrimin e zgjedhjeve, depolitizimin e numërimit të votave dhe më shumë zgjedhje pa ndërhyrje në procesin elektoral” si një hap të rëndësishëm përpara për Shqipërinë drejt shndërrimit në një demokraci plotësisht të integruar në Bashkimin Europian, thotë VOA. Schumer i bën thirrje që Departamenti i Shtetit, në veçanti Zyrës për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, që të mbështesë publikisht reforma të mëtejshme, përfshirë të drejtën e diasporës për të votuar që t’i ofrojnë më shumë ndikim edhe “një milion shqiptarëve të cilët jetojnë jashtë vendit, përfshirë ata që jetojnë në Shtetet e Bashkuara”.

Schumer shkruan se shqiptaro-amerikanët pasurojnë shoqërinë amerikane, janë krenarë për trashëgiminë e tyre dhe duhet të kenë të drejtën të shprehin opinionin e tyre në çështje që prekin atdheun e tyre, përmes pjesëmarrjes në procesin zgjedhor.