Ruçi: Kosova, e lidhur pazgjidhshërisht me integrimet euroatlantike

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, përshëndeti sot Ditën e Lirisë së Kosovës duke e cilësuar ditën e Çlirimit dhe paqes së Kosovës, 21 vite më parë të rëndësishëm për stabilitetin në rajon.

“Sot është Dita e Çlirimit dhe Paqes së Kosovës. 21 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat e NATO-s hynë në Kosovë. Ky aksion i rëndësishëm ushtarak dhe politik ishte një shërbim i madh, jo vetëm për çlirimin e Kosovës, por edhe për çështjen shqiptare dhe stabilitetin e paqen në rajon. Sot është dita të urojmë vëllezërit kosovarë për më shumë zhvillim e mirëqenie, për më shumë kontribute të Republikës së Kosovës në zhvillimin, paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon”, u shpreh Ruçi.

Ndërsa shprehu mirënjohjen ndaj NATO-s, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, ai theksoi se “besimi, përkushtimi dhe vendosmëria e të cilëve në vlerat e lirisë, të të drejtave të njeriut, të paqes dhe demokracisë ishte dhe mbetet vendimtare për lirinë e Kosovës”.

“NATO është gjeneratori kryesor i stabilitetit, paqes dhe sigurisë globale, europiane e rajonale. E ardhmja e Kosovës së lirë dhe të pavarur është e lidhur pazgjidhshmërisht me integrimet e saj euroatlantike dhe partneritetin strategjik e bashkëpunimin me NATO-n, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian”, tha Ruçi.

“Bashkëpunimi me NATO-n, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian nuk është thjesht një detyrim mirënjohës, por një kusht ekzistencial për të ardhmen e Kosovës së lirë, demokratike dhe europiane”, u shpreh Ruçi.