Brenda muajit korrik do të bëhet shpërndarja e granteve të gjithë familjeve për rikonstruksionin e banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Lajmi është njoftuar nga ministri i shtetit për rindërtimin, Arben Ahmetaj. “Procesi ka përfunduar në 7 bashki, në këto bashki janë 5708 familje përfituesve DS1 dhe DS3, presim përfundimin në Bashkinë e Durrësit, Tiranës dhe Lezhës, shuma që familjet përfitojnë në total është 2 mld lekë. Vetëm në Bashkinë e Shijakut, pa ambientet e përbashkëta është 5 mln dollarë. Durrësit 2.4 mld lekë, dhe ju premsiojmë zoti kryeministër që do të shpërndahen brenda muajit korrik. Shuma totale e granteve është 75 mln dollarë”, tha Ahmetaj.

Shpërndarja e parë e granteve ka nisur nga Shijaku, ku kreu i kësaj Bashkie, Elton Arbana ka bërë me dije se në javën e parë janë lidhur 637 kontrata dhe kanë tërhequr pagesën në bankë 315 individë. “1174 familje në banesa individuale dhe 339 familje në 27 banesa kolektive, përfitojnë drejtpërsëdrejti pagesat e granteve për riparimin e dëmeve të shtëpive të tyre në Shijak. Shpërndarja bëhet nëpërmjet postës dhe bankës, por duke qenë se pjesa më madhe s’kanë llogari në bankë, i marrin në postë për lehtësi. Deri në fundjavë mbyllet lidhja e kontratave, qytetarët pastaj mund të shkojnë për të tërhequr pagesat”, tha Arbana teksa prezantoi edhe se si do të bëhet shpërndarja e granteve për familjet në pallate. Bashkia e Shijaku, kishte menduar që të zgjidhej një administrator për çdo pallat, por kryeministri Edi Rama sugjeroi një zgjidhje tjetër.

Arbana: Për pallatet, është zgjedhur një administrator që të jetë përgjejgjës që këto grante të shkojnë për riparimin e pallateve. Për aq kohë sa përgjegjësia është kolektive dhe puna është e tillë, prandaj është zgjedhur administratori, që të menaxhojë fondit dhe të caktojë një firmë të e licensuar për të për rikonstruktimin e pallatit. Rama: Të përzgjedhin 3 përfaqësues, se ndoshta është më e vështirë që të bihet dakord, 1 përfaqësues nga bashkia për të ndjekur procesin dhe të jenë vetë banorët që të kenë sytë në proces dhe që fondi i akorduar familje në familje t’u jepet familjeve.

Ndërkohë, në fund, në përgjigje të kryeministrit Rama, Arbana njoftoi se procesi i pastrimit të mbetjeve të godinave të shembura do të mbyllet brenda 8 ditëve. “Ka nisur rindërtimi në Bashkinë e Shijakut, pastrimi po ecën shumë mirë, është bërë 50% e tyre, brenda 8 ditëve përfundon. Sa i përket 2 shkollave nesër do të dorëzohen sheshet e fazës së ndërtimit. Kemi bërë dhe një punë tjetër, meqë kemi rreth 3 mijë aplikues, dhe numri i dosjeve të tyre është shumë i madh. Kemi bërë skanimin e dosjeve për t’i futur në USB”, tha Arbana.